Arbëri

Kërkohet shqyrtimi i vendimit për largimin nga puna të zyrtares që dyshohej për vjedhje në Bruksel

Foto: Koha

Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i është kërkuar që të shqyrtojë vendimin për largim nga puna të zyrtares e cila dyshohej për vjedhje në Bruksel. Kjo kërkesë ka dalë në një vendim që e ka marrë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë (KPMSHCK) më 22 nëntor të këtij viti. Kolegji për shqyrtimin e ankesave në KPMSHCK ka gjetur se janë bërë shkelje nga dy komisione të MASHT-it me rastin e largimit nga puna të zyrtares I.C, shkruan sot Koha Ditore.

Në muajin korrik Komisioni disiplinor i MASHT-it ka marrë vendim që zyrtares I.C. t’i ndërpritet marrëdhënia e punës në shërbimin civil nën dyshimin për “vjedhje apo tentim vjedhje” në një lokal në zonën Drucker të Brukselit. Komisioni disiplinor i ministrisë ka konstatuar se ajo ka shkelur detyrat e punës dhe ka kryer aktivitete që bien ndesh me institucionin apo veprime që dëmtojnë institucionin dhe organet e tjera shtetërore.

Disa javë pas vendimit ajo ka bërë ankesë në MASHT, por Komisioni për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave e ka refuzuar ankesën e saj duke e cilësuar si të pabazuar.

Ditë më parë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë përmes një vendimi ka kërkuar që lënda e zyrtares I.C. të kthehet edhe një herë në rishqyrtim.

(Më shumë lexoni sot në Koha Ditore)