Arbëri

Auditori gjen se në listën e barnave esenciale figurojnë edhe aso që nuk janë fare të nevojshme

Pothuajse për çdo ditë të vitit të kaluar, pacientët janë përballur me mungesë të barnave nga Lista esenciale.

Mosfurnizimi me kohë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë që qytetarët t’i blejnë me para nga xhepi i tyre barnat e nevojshme për ta.

Krejt kjo për shkak se Ministria nuk i ka kontraktuar me kohë kompanitë farmaceutike për furnizim, raporton KTV.

Këto janë disa nga gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm, ku pos tjerash ministria kritikohet për mospërditësimin e listës së barnave esenciale çdo dy vjet ashtu siç është e paraparë me ligj.

Për këtë, në raport thuhet se Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka shpenzuar rreth 3.5 milionë euro për barna dhe material shpenzues, që janë jashtë listës esenciale.

“Lista nuk është përditësuar asnjëherë gjatë 5 vjetëve të fundit dhe për pasojë ne kemi identifikuar një numër të madh të barnave pjesë e kësaj liste që nuk janë porositur nga asnjë klinikë në QKUK. Në të njëjtën kohë, janë identifikuar lloje të ndryshme të barnave që janë kërkuar dhe blerë nga spitalet, por që nuk janë pjesë e listës”, thuhet në raportin e Auditorit për Listën e barnave esenciale.

Edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e pranojnë se në listë nuk janë futur shumë lloje të barnave të Listës esenciale.

“Në SHSKUK, ka barna për trajtimin e shumicës së sëmundjeve që trajtohen brenda këtij institucioni, me ndonjë përjashtim që herë pas here mund të ketë ndonjë mungesë. Gjendja e furnizimit është shumë më mirë, krahasuar me të kaluarën. Lista aktuale Esenciale e Barnave ka mangësi për të cilat ne si SHSKUK, ia kemi adresuar Ministrisë së Shëndetësisë ”, thuhet në përgjigjen nga zyra e Drejtorit të SHSKUK-së.

Pikërisht për të raportuar lidhur me gjetjet e këtij raporti, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka ftuar për herë të tretë ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.

As kësaj here, Ismaili nuk i është përgjigjur thirrjes së Komisionit, e për pasojë ka dështuar mbajtja e kësaj mbledhjeje.

Ndërsa, në një përgjigje për Kohavisonin nga Ministria e Shëndetësisë, thonë se do t’i marrin për bazë rekomandimet e dala nga ky raport i Auditorit.

“MSH-ja ka formuar Grupin punues, i cili do të takohet më 11 dhjetor për hartimin e Planit të veprimit për rekomandimet e ngritura nga Zyra Kombëtare e Auditimit, me qëllim të adresimit dhe implementimit të rekomandimeve në afatet e mundshme kohore”, thuhet në përgjigjen nga Divizioni i Komunikimit me Publikun, MSH.

Vitin e ardhshëm është paraparë që buxheti për barna nga Ministria e Shëndetësisë t’i kalojë SHSKUK-së.