Remi përballë drejtësisë, historia e gjatë e arrestimeve dhe dënimeve për ish-komandantin

07 dhjetor 2018 19:13

Ushtarë britanikë të KFOR-it, mëngjesin e së dielës së 11 gushtit të vitit 2002, ishin futur në banesën e ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi.

Derisa Mustafa, nën dyshimin fillestar se kishte marë pjesë torturimin dhe vrasjen e pesë njerëzve, ishte ndaluar për 72 orë, në komunën e Podujevës, dy ditë më vonë kishin nisur protesta për të kërkuar lirimin e tij.

Vetëm një vit më herët, Mustafa ishte liruar nga përgjegjësitë e tij në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi ishte përfshirë në mesin emrave që presidenti i atherëshëm amerikan, George W. Bush, i konsideronte si rrezik për Ballkanin perëndimor dhe stafin ndërkombëtar në rajon.

Remi ishte pjesë e Grupit të Llapit dhe ishte dënuar më 2013 nga Gjykata e Prishtinës për krime lufte. Bashkë me të, ishin dënuar edhe Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti.

Rrustem Mustafa ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burgim prej 4 vjetësh.

Ai bashkë me të tjerët, akuzoheshin për hapjen e një stalle në fshatin Llapashticë që shërbentë si qendër ndalimi dhe torture për civilët, që shiheshin si bashkëpunëtorë të serbëve.

Apeli, ku Remi dhe të tjerë ishin ankuar e kishte shpallur vendimin më 11 gusht 2015. Aty ishte vendosur që Rrustem Mustafa do ta vuajë dënimin unik prej 4 vjet burgim.

Pas vërtetimit të dënimit nga Gjykata e Apelit, duke qenë deputet i PDK-së, Mustafa u detyrua që ta dorëzojë mandatin e tij, bashkë me Latif Gashin.

Ai qëndroi për një kohë në burgun e Smrekonicës, që është një burg i hapur dhe i pamonitoruar.

Duke qenë atje ai dërgoi kërkesë te Paneli për lirim me kusht që ta lirojë atë nga burgu, gjë që edhe ndodhi.

Pas kësaj, ai nuk u kyç më në jetën publike, por në ndërkohë, kishte dhënë disa intervista për ngjarjet politike.

Në një të tillë, në prill 2014 në Interaktiv, e kishte përkrahur themelimin e Gjykatës Speciale, si obligim për Kosovën, duke thënë se kushdo që akuzohet do të dalë faqebardhë.

Pas transmetimit të lajmit në KTV, avokati i tij, Arianit Koci njoftoi se klienti i tij, Rrustem Mustafa, do të intervistohet në Hagë më 14 janar, që e shënon rastin e parë të ftesës nga Specialja për një ish-komandant të luftës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme