Për mosfunksionim të drejtësisë në veri u parashkruan 10 mijë lëndë, rrezikojnë edhe 6 mijë të tjera

Donika Voca Gashi 07 dhjetor 2018 19:15

Mungesa 10-vjeçare e gjykatave dhe Prokurorisë në veri të Mitrovicës, ka bërë që mijëra lëndë të mos arrijnë të trajtohen asnjëherë nga sistemi i drejtësisë.

Janë rreth 10 mijë lëndë shumica prej tyre të veriut të Mitrovicës dhe stacioneve policore atje, të cilat janë parashkruar deri më tani, raporton KTV.

Shumë prej këtyre lëndëve kishin të bënin më vepra penale të dënueshme deri në 3 vjet.

“Por, janë edhe mbi 6 mijë lëndë të tjera të cilat rrezikohen të parashkruhen”, thotë kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqri Syla.

Shumë prej tyre kanë të bëjnë me vepra penale të ndryshme, të dënueshme deri në 5 vjet.

Syla thotë se kanë kërkuar ndihmën e Këshillit Prokuroria të Kosovës, në mënyrë që të mos ndodhë parashkrimi.

Transferimi i kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët ka bërë që Misioni i EUELX t’ia kthejë Prokurorisë në Mitrovicë shumë lëndë të pazgjidhur duke e rënduar edhe më shumë situatën.

Kryeprokurori thotë se çdo ditë pranon lëndë të pazgjidhura nga EULEX-i.

Është bërë 1 vit qëkur gjykata dhe prokuroria në veri të vendit, kanë nisur punë në kuadër të integrimit të sistemit të drejtësisë në këtë pjesë të vendit, si pjesë e marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme