Arbëri

Rrjeti qeveritar i Kosovës pëson sulm kibernetik nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore / Ilustrim

Kujtim Gashi, drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit ka bërë të ditur se sot ka ndodhur një sulm kibernetik nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina ndaj adresave elektronike të institucioneve kosovare, në veçanti ndaj atyre të misioneve diplomatike.

Ai ka konfirmuar se sulmet janë parandaluar me sukses, dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm, transmeton Koha.net.

“Sot ka ndodhur një sulm kibernetik ndaj adresave elektronike të institucioneve kosovare. Janë sulmuar në veçanti adresat e misioneve diplomatike. Sulmi ka ndodhur nga Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe një pjesë nga Maqedonia. Janë parandaluar të gjitha këto sulme”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se përpjekja e tyre ka qenë që të bllokohen adresat elektronike të institucioneve, megjithatë pa sukses.

“Nuk është marrë nën kontrollë asnjë sistem elektronik i institucioneve të Kosovës. Deri tani nuk ka asgjë për të cilën duhet të jemi të shqetësuar. Ky është një sulm masiv, i direkt nga persona të panjohur dhe sulmi vjen kryesisht nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, ka thënë ai.