Qytetarët akuzojnë pushtetin lokal për mbylljen e objekteve të kulturës në Preshevë

Dorentina Thaqi 06 dhjetor 2018 20:15

Inspektorët shtetërorë të Serbisë, me ndihmën e policisë, më 16 nëntor i mbyllën të gjitha objektet kulturore në Preshevë.

Objekti i Shtëpisë së Kulturës "Abdulla Krashnica" në Preshevë, u mbyll me arsyetimin e mungesës së Planit për mbrojtjen kundër zjarrit, raporton KTV.

Përveç Shtëpisë së Kulturës, jashtë funksionit kanë mbetur edhe Biblioteka "Mehmet Jusufi”, Teatri i qytetit, Zyra për të Rinj si dhe zyra e Partisë Demokratike Shqiptare.

Në mesin e institucioneve të mbyllura në Komunën e Preshevës është edhe mediumi i parë i themeluar në gjuhën shqipe në shtetin serb.

Zejnullah Dauti, punëtor në radiotelevizionin “Presheva”, thotë se mbyllja e këtij objekti është e palogjikshme, pasi që me këtë po dëmtohen qytetarët.

Shfrytëzuesit e këtij objekti thonë se kanë mbetur peng të gjitha aktivitetet kulturore. Ata shprehin dyshime nëse do të mund të hapeshin sërish këto institucione.

Qytetarët e Preshevës janë shprehur se me mbylljen këtyre pesë institucioneve të vetme, që kanë mbetur në këtë komunë, është kthyer edhe sistemi i Millosheviqit duke i diskriminuar sërish banorët e kësaj pjese.

Ndërkaq, zyrtarë nga Komuna e Preshevës thonë se janë duke punuar në këtë aspekt dhe premtojnë se brenda 15 ditësh do të rihapen këto objekte.

Vite më parë në komunën e Preshevës është mbyllur Gjykata Themelore. Ishte premtuar se do të hapej sërish, por kjo ende nuk ka ndodhur. Po ashtu, janë larguar të gjitha bankat komerciale, duke mbetur vetëm Banka Qendrore e Serbisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme