Arbëri

Bankat komerciale aplikuan tarifë edhe për dërguesit edhe për pranuesit e të hollave nga transferet

Përveç përfitimeve të shumta që bankat komerciale kanë në Kosovë, të njëjtat po shfrytëzojnë çdo zbrazëti ligjore për të nxjerrë përfitime në kurriz të klientëve.

Në mungesë të një rregulloreje, ato deri para pak kohësh kanë pasur në fuqi një tarifë, për të cilën kanë marrë të holla kur konsumatori i tyre ka pranuar transfer parash nga një llogari tjetër, raporton KTV.

Krejt këtë veprim bankat e kanë bërë pasi Banka Qendrore e Kosovës nuk ka nxjerr për vite me radhë një rregullore, e cila e ndalon një gjë të tillë.

Burime të KTV-së kanë bërë të ditur se bankat nuk kanë arritur të dëshmojnë gjatë ekzaminimit të bërë nga punonjës të BQK-së, se çfarë shpenzime kanë pasur në rastet kur llogaritë kanë pranuar para.

Drejtues të BQK-së kanë thënë se kanë bërë Rregullativë përmes së cilës më bankat nuk do të mund ta bëjnë një veprim të tillë.

Krejt kjo u bë edhe pas ankesave të shumta të qytetarëve drejtuar BQK-së.

E, si përfundim asnjë bankë nuk është ndëshkuar.

Përveç tarifave hyrëse, ankesa për bankat kanë pasur edhe bizneset, për çmimet e shërbimeve në përgjithësi, që bankat i ofrojnë në një debat të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane.

Për këtë, eksperti i sektorit ekonomik, Naim Gashi, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të zhvillohet një hetim ndaj bankave.

Sipas të dhënave të BQK-së, kreditë ekonomike familjare janë duke u rritur paralelisht me ato të ndërmarrjeve, me rreth 11 për qind.

1.703 miliardë euro është shuma e përgjithshme e kredive bankare për ndërmarrjet.

Prej tyre 210 milionë euro për bizneset prodhuese.

Ndërsa, 973.2 milionë euro për ekonomitë familjare.