Haxhiu: Buxheti 2019 sfidë do të ketë skemat pensionale

Haxhiu: Buxheti 2019 sfidë do të ketë skemat pensionale

06 dhjetor 2018 17:45

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe buxhetin 2019.

Ai në Express Intervistën në KTV, tha se PDK-ja në krye me Kadri Veseli, qysh në muajin maj e ka propozuar platformën për dialog. Por, thotë se nga subjektet tjera politike, kjo platformë u devijua pasi ata nuk e patën të rëndësishme konsensusin nacional.

“Ideja e PSD-së, është e mirë, PDK-ja është e hapur për këtë”, tha ai. Haxhiu tha se Qeveria e ka propozuar Fatmir Limajn në krye të ekipit negociues dhe se PDK-ja e ka përkrahur, porse, askush s’mundet ta minimizoj rolin e Thaçit.

“Roli i presidentit Thaçi, e përcakton Kushtetuta. S’mundet me një ligj apo propozim t’i zvogëlohet roli i tij”, tha ai.

Haxhiu gjithashtu tha se fokusi i të gjitha subjekteve politike duhet të jetë se si të ndalet Serbia e jo Thaçi, sepse sipas tij, Kosova nuk rrezikohet prej Hashim Thaçit por Serbisë.

Për idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh, Haxhiu tha se askush s’mund ta bëjë korrigjimin. “Duhet të jenë 2/3 e Kuvendit. S’mundet një njeri i vetëm të bëjë korrigjim të kufijve. Kjo është më shumë dëshirë e disa mediumeve për klikime e shikime. Kosova është shtet i pavarur e nuk do të lëvizet asnjë pjesë toke”, tha ai.

Haxhiu foli edhe për punën në Kuvend. Tha se shpeshherë puna në Kuvend po dështon për shkak të mungesës së kuorumit, por kjo thotë po ndodh sepse ka shumë deputetë të papërgjegjshëm.

Tha se Kuvendi ka vendosur të bëjë publike pas çdo seance, mungesën e çdo ministri që nuk i përgjigjet pyetjeve parlamentare. Më pas, ata të ftohen në interpelancë një nga një, e më tutje të merren vendime për ta.

Për buxhetin 2019, Haxhiu tha se është për t’u admiruar.

“Kur krahasojmë me atë të viteve paraprake, jemi shumë më mirë. Me ardhjen e Bedri Hamzëz si ministër, ka ndryshuar shumë buxheti pozitivisht”, ka thënë Haxhiu duke kritikuar kohën kur Ministrinë e Financave e ka udhëhequr LDK-ja.

Buxheti mbi 2 miliardë euro për vitin 2019, tha Haxhiu, sfidë do të ketë skemat pensionale.

Kujtojmë se në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku diskutua për buxhetin, Ministri i Financave, Bedri Hamza ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për Buxhetin e vitit 2019, duke thënë se ky buxhet do të jetë 2 miliardë e 355 milionë euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme