Haradinaj kundër qëndrimit të NATO-s për kohën e formimit të ushtrisë

Haradinaj kundër qëndrimit të NATO-s për kohën e formimit të ushtrisë

06 dhjetor 2018 16:14

Kryeministri Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media për të dhënë detaje për bisedën telefonike që ka pasur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg i cili ka thënë se tani nuk është koha e duhur për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Haradinaj duke akuzuar mediat se e kanë keqkuptuar, ka thënë se Stoltenbergu i ka ofruar përkrahje për ushtrinë, por një gjë të tillë nuk e ka thënë vetë shefi i NATO-s në komunikatën për media të publikuar sot.

“Me Haradinaj ngrita shqetësime për planin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri. Ia theksova se një veprim i tillë është i papërshtatshëm dhe kundër këshillave të shumë aleatëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja në perspektivën e Kosovës për integrim euro-atlantik. Ia përsërita se mandati i FSK-së duhet të evoluojë dhe se NATO duhet të rishikojë nivelin e bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Stoltenberg.

Ndërsa Haradinaj në konferencë për media ka thënë se “Ai më ka ofruar përkrahje për ushtri, por ka thënë se do t’i shqyrtojmë marrëdhëniet me FSK-në, por jo me Kosovën”.

“Arsyeja pse mund të shqyrtohet çështja e FSK-së është sepse anëtarët kanë mendime të ndryshme për kohën e bërjes së ushtrisë. Nëse një anëtar i NATO-s ka mendim ndryshe, duhet të shqyrtohet kjo çështje në NATO”, ka thënë Haradinaj që ka mohuar të ketë biseduar me Stoltenbergun që serbet të binden që ushtria të formohet me ndryshime kushtetuese.

“Ne nuk presim votë unanime nga të gjithë por sot nuk është ajo temë”, ka thënë Haradinaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme