Buxheti për 2019 do të jetë 2.3 miliardë euro, LDK-ja thotë se nuk e mbështet

Abdixhiku: Të dhënat e buxhetit flasin për humbje të 16 mijë vendeve të punës

Sanie Jusufi 06 dhjetor 2018 13:18
14:20

Deklaratat e ministrit të Financave Bedri Hamza, i cili ka thënë se të mosvotohen projektligjet që nuk kanë mbështetje financiare dhe nuk janë të buxhetuara, kanë nxitur reagim të deputetit Lumir Abdixhiku nga Grupi parlamentar i LDK-së, i cili ka thënë se Qeveria e ka shumicën në Kuvend dhe vet i miraton ato projektligje që nuk kanë mbështetje të tillë.

Edhe sa i përket numrit të punësuarve, deputeti Abdixhiku ka thënë se të dhënat e buxhetit flasin për humbje të 16 mijë vendeve të punës dhe se duhet bërë dallim tek punësimi formal dhe joformal, raporton Koha Ditore.

Sa i përket buxhetit ai ka thënë se ky buxhet është rritur me prej Fondit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe nga borxhi publik.

Me një replikë ministri Hamza ka thënë të dhënat e ATK-së dhe Trustit flasin që ka rritje.

Replikë ndaj deklaratave të ministrit pati edhe nga deputeti Dardan Sejdiu, i cili ka thënë se nëse ligjet janë populliste, është mirë që të bëhet reforma në skemat sociale dhe të kursehen rreth 100 milionë euro, të cilat do të transferoheshin në arsim.

Pas kësaj Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në ora 15:30.

14:14

Hamza pajtohet që skemat sociale të ndryshohen

Kritikave të deputetëve opozitarë, të cilët e quajtën buxhetin e viti 2019, buxhet social, i është kundërpërgjigjur ministri i Financave, Bedri Hamza, duke thënë se “kur po vinë ligjet për popullizma, secili prej deputetëve po bën garë se cili po jep më shumë për këto kategori”.

Për të ruajtur sistemin makrofinanciar, ai ka thënë se duhet të kujdeset me nisma që nuk targetojnë ata që ju përmirëson gjendjen, raporton Koha Ditore.

“Pse janë rrit pensionet bazike dhe ato të pleqërisë, po më vjen keq që nuk kam mund më shumë të rritet. I kisha lut deputetët që të mos aprovojnë ligjet që nuk janë të buxhetuar. Unë kam gjetur disa ligje që janë miratuar dhe nuk ka pasur buxhet”, ka pohuar Hamza.

Ai ka thënë se pajtohet që skemat sociale të ndryshohen dhe të mos përfitojnë ata që nuk e meritojnë.

Sa i përket çështjes së veteranëve, ai ka thënë se numri prej 35 mijë veteranëve është i shtatorit të vitit 2017.

“Nëse dikush thotë se nuk ka ndryshim të prioriteteve, por ku shkojë rritja e buxhetit, shkojë në shëndetësi dhe arsim”, ka theksuar ai.

Sa i përket borxhit publik ai ka thënë se ka stabilizim të borxhit publik. Tek punësimi ka thënë se nuk është në masën e duhur. Pagat në sektorin publik sipas tij, janë rritur në përputhje me rritjen ekonomike, por sipas tij, kur flitet për sektorin publik duhet të pasur parasysh edhe sektorin privat, i cili është kontribuuesi më i madh në punësim.

14:02

Kuçi: Buxheti 2019 është zhvillimor, sivjet 18 mijë të punësuar më shumë

Deputeti Blerim Kuçi nga Grupi parlamentar i AAK-së, për dallim nga deputetët e partive opozitare ka thënë se buxheti për vitin 2019 është buxhet zhvillimor.

Sipas tij, është rritur buxheti në shëndetësi dhe arsim si dhe për mjedis.

Duke lavdëruar punën e ministrit për analizën e buxhetit, ka thënë se numri i të punësuarve që paguajnë tatim janë 18 mijë të punësuar më shumë se sa vitin paraprak, raporton Koha Ditore.

“Kemi të zyrtarizuar se janë 18 mijë të punësuar më shumë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë periudhë kohore gjatë viteve të kaluara”, ka theksuar Kuçi. Sipas tij, asnjëri nga deputetët e opozitës nuk iu referuan kësaj dhe u referuan vetëm në disa elemente periferike me një tendencë.

“Sipas kësaj analize, GDP-ja që është treguesi më i mirë ekonomik, ka rritje në terma real në 4.7 për qind, ose planifikimi në terma nominal është ne 5.4 për qind. Asnjë vend në vendet e rajonit nuk i ka këta tregues ekonomik. Është diçka tjetër nga vinë këto të hyra, por këto janë në terma real”, ka theksuar Kuçi.

Edhe deputeti Enver Hoti nga Nisma për Kosovën ka thënë se për herë të parë ka një buxhet me një rritje të tillë, gjë e cila sipas tij, do të ndikojë në të ardhmen e qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.

“Prioritetet të cilat janë paraqitur nga Qeveria sic është Ministria e Shëndetësisë, e Arsimit dhe e sistemit të drejtësisë janë rritje që kanë nevojë qytetarët”, ka pohuar Hoti.

Duke iu referuar kritikave të deputetëve opozitës për rritje të skemave sociale, ka thënë se si nuk “iu ranë në sy numri i punësimeve”.

Ka thënë se duhet të kritikohen komunat që nuk kanë rrit të hyrat nga tatimi, ndërsa ka përmendur grantin për kryeqytetin, që është paraparë për herë të parë me buxhetin e vitit 2019.

13:44

Sejdiu: Brengosëse që ekonomia reduktohet në infrastrukturë, Qeveria pa mekanizëm ndaj deficitit tregtar

Shefi i Grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu ka thënë është brengosëse që ekonomia reduktohet në infrastrukturë dhe se ajo infrastrukturë reduktohet në asfalt, ndërsa beteja kundër deficitit tregtar nuk shihet se luftohet me ndonjë mekanizëm të paraqitur në buxhet.

Ai ka thënë se do të duhet të fokusohen në ndërtime të fabrikave për të rritur burimet e të hyrave përmes tatimeve dhe duke zhvilluar ekonominë e vendit dhe ulur deficitin tregtar, raporton Koha Ditore.

“465 milionë euro, apo mbi 20 për qind e buxhetit shkon vetëm për një ministri. Po kjo ministri e ka një shkronjë tepër, atë të punës, sepse ajo nuk merret me këtë. Por, kjo nuk po merret as me mirëqenie, por është thjeshtë një mirëmbajtje e një strukture të madhe të njerëzve që marrin një buxhet të madh të shtetit për t’i mbajtur akomoduar njerëzit partiak”, ka theksuar Sejdiu.

Ai ka thënë se ky buxhet sipas PSD-së është një buxhet që vazhdon atë avazin e vjetër të trajtimit dhe akomodimit të nevojave të Qeverive.

13:35

Kurti: Kjo Qeveri e ka bërë shtetin gjobitës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe shërbëtor për oligarkët

Deputeti Albin Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se buxheti ka rritje, por me këtë sipas tij, po pasurohen vetëm zyrtarët qeveritarë dhe biznesmenët e oborrit qeveritar.

“Kjo Qeveri e ka bërë shtetin gjobitës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe shërbëtor për oligarkët”, ka theksuar Kurti. Sa i përket nismave sociale, ai ka thënë se ato nuk janë edhe aq sociale për më shumë partiake dhe populliste. Subvencionet dhe transferet sipas tij janë kategoritë që po rriten më së shpejti, raporton Koha Ditore.

Investimet në Trepçë sipas tij, nuk ka as këtë vit dhe se kjo i rrit aspiratat e Serbisë për Trepçën.

“Kemi kryeministër i cili në dialogun me Serbinë nuk merret, ia ka lënë këtë President, me buxhetin nuk merret ia ka lënë ministrit të Financave. Thotë se merret më ushtrinë, por nuk do të ketë buxhet shtesë as për FSK-në. Shtrohet pyetja se me çka merret ky kryeministër”, ka theksuar Kurti. Sipas tij, ai merret me buxhetin e Zyrës së tij.

“Zyra e kryeministrit i ka 615 të punësuar. Vetëm kabineti i kryeministrit i ka 75 të punësuar, ndërsa në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përkrahjen e Rinisë janë vetëm 5 të punësuar, ose MTI ka buxhetin sa gjysma e zyrës së kryeministrit. Ose Zyra e kryeministrit ka më shumë buxhet se Shërbimi Korrektues i Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se as Vetëvendosje nuk do ta mbështet buxhetin e propozuar për vitin 2019 dhe besojnë se “një orë e më parë nëse largohet kjo Qeveri nga detyra, aq më mirë do të bëhet për popullin e Kosovës”.

13:18

Buxheti për 2019 do të jetë 2.3 miliardë euro, LDK-ja thotë se nuk e mbështet

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për Buxhetin e vitit 2019, duke thënë se ky buxhet do të jetë 2 miliardë e 355 milionë euro.

Sipas tij, ky buxhet mundëson projektet për qytetarët. Prioritet sipas tij do të jetë program për reforma sektoriale, raporton Koha Ditore.

Ai ka thënë se rritja ekonomike pritet të jetë 4.7 për qind, ndërsa në terma real pritet të jetë 4.1 për qind.

“Të hyrat direkte do të jenë 1 miliard e 940 milion euro. Një pjesë e të hyrave pritet të jenë si rezultat i masave tona që do të ndikojnë në zvogëlimin e informalitetit. Të hyrat jotatimore pritet të jenë të njëjta për shkak se nuk kemi një performancë të mirë të komunave në mbledhje të tatimeve”, ka theksuar ai.

Sipas tij, rritje do të ketë në të gjitha kategoritë. Ai ka thënë se do të ketë rritje edhe të shpenzimeve.

“Rritje të shpenzimeve kemi për 27 për qind për mallrat dhe shërbime. Subvencionet rriten për 83 milionë euro. Deficiti buxhetor 2 për qind e BPV-së. Ky nivel pritet të financohet përmes huamarrjes së jashtme dhe prej fondeve të likuidimit. Ky në asnjë mënyrë nuk e rrezikon qëndrueshmërinë e borxhit publik”, ka theksuar ai.

Ndërsa deputeti Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, ka kritikuar planifikimet e Qeverisë për buxhetin e vitit 2019. Sipas tij, buxheti i tanishëm, tregon se për secilën ditë të kësaj Qeverie humbin nga 44 vende të punës.

Ai ka thënë se për herë të parë në histori të Kosovës buxheti për skemat sociale kalon atë për zhvillim ekonomik.

“Këto skema nuk targetojnë të varfrit. Nga 460 milionë euro, vetëm 30 milionë euro shkojnë për të varfrit, tjerat 430 milionë euro jepen për meritë siç është për veteranë, po policë, për mjek...”, ka theksuar ai.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk do ta përkrahë këtë buxhet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme