Arbëri

Shala thotë se Kosova s’ka pse të frikësohet nga deklaratat e Serbisë për luftë

Descriptive Text

Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, ka thënë se Kosova s’ka arsye të frikësohet nga deklaratat e liderëve serbë se do të përdorin ushtrinë serbe për të mos lejuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Duke u përgjigjur për kërcënimet nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, Shala ka thënë se këto janë deklarata të zakonshme dhe se janë vetëm arsyetim para qytetarëve serbë.

“Serbia do të mundohet para qytetarëve të vet të arsyetohet për punën e Vuçiqit. Taksën u munduan ta ndalën e tash edhe Ushtrinë. Është një arsyetim me deklarata bombastike. Të flitet për luftë të dytë është diçka anormale. S’po mund të them fjalë më të rëndë pasi është femër e le të shfryjë epshet me deklarata. S’ka as pse të frikësohemi e as pse të shqetësohemi nga deklaratat e tyre. Janë deklarata vetëm që të arsyetojnë veprimet e tyre sepse me politikë kaq të mbrapshtë kemi arritur këtu e jemi detyruar të kemi taksën. Sjelljet e udhëheqësve serbë në mënyrën më arrogante ndaj Kosovës shpien deri këtu ku jemi. Të mos shikojmë se çfarë thonë sepse ka për të shkuar kohë e gjatë deri kur të dëgjojmë deklarata të mira nga ta. S’mund të ketë trazira. Mund të ketë ndonjë protestë të vogël sepse në veri janë lodhur me demagogji të politikanëve dhe kanë filluar të njohin realitet të ri në Kosovë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Shala ka thënë po ashtu se transformimi i FSK-së në Ushtri përmes ligjeve është duke ndodhur në bashkëpunim të plotë me ndërkombëtarët. Këtë e tha si përgjigje për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që tha se është veprim në kohë të gabuar.

Shala tha se s’ka kthim prapa dhe se tash është vonë të thuhet se s’është në kohë të duhur, kur më 14 dhjetor pritet që ligjet për ushtrinë të kalojnë në lexim të dytë në Kuvend.

“Siç është i informuar opinioni, komisioni ka kryer të gjitha proceduar që ligjet të kalojnë në lexim të dytë në Kuvend. Kemi ardhur deri këtu në bashkëpunim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë edhe NATO-n, e të ketë zëra se s’jemi në koordinim, s’mund të pajtohemi. Besoj se më 14 të këtij muaji, përfundojnë ligjet për Ushtrinë. Kemi pas bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me ndërkombëtarët. Kemi ec në bashkëpunim me ta. Që nga themelimi FSK-ja ka ecur bashkë me ta. Vetë ndërkombëtarët e kanë rritur si një foshnje. Tash është edhe vonë të thuhet se s’është në kohën e duhur. S’dua as të diskutoj për këtë. Ka ardhur koha që FSK-ja të ketë mandatin si të gjitha ushtritë e botës”, ka thënë ai.