Arbëri

Republika Çeke mbështet transformimin e FSK-së në Ushtri

Descriptive Text

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, deklaroi sot se procesi i tranzicionit të FSK-së ndihmon në forcimin e angazhimit të marrëdhënieve në temat e sigurisë e të mbrojtjes midis shteteve në rajon.

Ai gjatë një vizite në Çeki tha se Kosova synon që të kthehet në ofrues të sigurisë rajonale dhe globale, përmes angazhimit të saj aktive në misione paqeruajtëse nëpër zona të konfliktit kudo nëpër botë, krah për krah me ushtritë e shteteve të NATO-s.

Gjatë takimit me zëvendësministrin për Siguri dhe Çështjet Multilaterale, Martin Povejshil dhe zëvendësministrin dhe drejtori i Departamentit për Evropën Jugore dhe Juglindore, Martin Koshatka, zëvendësministri Ramadani i ka informuar zyrtarët e lartë çekë për procesin e transicionit të FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtjes, duke qartësuar objektivin e Qeverisë së Kosovës dhe procedurat e rregullta parlamentare për këtë proces.

“Qëllimi nacional i Kosovës është anëtarësimi në NATO”, u shpreh ai.

Ndërsa, zëvendësministri Povejshil ka shprehur mirëkuptimin e Republikës Çeke, për procesin e tranzicionit të FSK-së, duke theksuar mbështetjen për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.

Vizita në Pragë e delegacionit të FSK-së, realizohet në kuadër të kampanjës informuese për tranzicionin e FSK-së, aktivitet ky, që ka filluar në pranverë të vitit 2018, dhe do ta vazhdojë edhe në shtetet tjera anëtare të NATO-s.