Arbëri

Bërnabiq vë në dyshim pohimin e Ramës se Kosova i ishte ankuar CEFTA-s për shkelje nga Serbia

Foto: Ilustrim

Beograd, 5 nëntor - Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i ka bërë sot thirrje Prishtinës ta tregojë ankesën që ia ka drejtuar Komitetit të CEFTA-s, me të cilën ka bërë me dije se Serbia ka shkelur Marrëveshjen për Tregti, siç pohoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Siç është shprehur, ajo ka pritur një reagim ndryshe të tij, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.

“Nëse nuk ka ankesë, atëherë Edi Rama qëllimshëm dhe me vetëdije ka dashur ta vërë në lajthitje opinionin në rajon se Serbia ka shkelur Marrëveshjen CEFTA”, është shprehur Bërnabiq, duke komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar Rama në Zagreb, se Serbia e para ka shkelur marrëveshjen rajonale tregtare dhe se për këtë Kosova ishte ankuar.

Ajo ka thënë se ka “qenë naive kur ka pritur” nga Rama që t’i bëjë thirrje Prishtinës për sjellje më të arsyeshme.