Arbëri

Haradinaj kërkon nga përpunuesit vendorë të drurit të investojnë në vende pune

Shoqata e përpunuesve të drurit, së bashku me USAID-in, kanë bërë hapjen e Konventës së tretë vjetore të Përpunuesve të Drurit në Kosovë me qëllim që kompanitë të kenë mundësi të prezantojnë produktet e tyre, mobile të ndryshme, të prodhuara nga druri.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se në Kosovë ka parametra që prodhuesit vendorë të kenë mundësi të prodhojnë dhe të shesin jo vetëm në Kosovë.

“Taksa e vendosur mund të lidhet edhe në këtë rast. Kjo taksë është e duhur, e ka edhe një efekt, është Kosova e para. Mund ta mbajmë nëse secili në hapësirën e vet e mbulon këtë. Prodhuesit e drurit i zhvillojnë kapacitetet e veta, është sektor garues në çmim, dhe kështu e ndihmon Kosovën, ku hap edhe vende të reja të punës”, ka thënë ai, raporton Ksp.

Ai ka kërkuar nga të gjithë prodhuesit që të investojnë në vende të punës, në mënyrë që Kosova të jetë e konkurrueshme edhe në botë.

Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, tha se ndihet mirë që sot janë investitorët, duke shtuar se sektori i përpunuesve të drurit në Kosovë është ndër më të zhvilluarit. Sipas saj, ka edhe potencial që të rritet edhe më tutje.

Ky panair do të zgjasë dy ditë.