Arbëri

LDK: Dorëheqja, veprimi i vetëm që i ka mbetur Qeverisë

Descriptive Text

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës po kërkon seancë të jashtëzakonshme për, siç thotë, dështimet e koalicionit qeverisës që kulmuan me mos liberalizim të vizave.

Përmes një komunikate dërguar mediave, GP i LDK-së thotë se Kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendësi i tij, Fatmir Limaj, dikur pengonin me dhunë e intriga përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

Atëherë, sipas GP të LDK-së, ata e fajësonin Bashkimin Evropian, i cili deklaronte se po rrezikohet liberalizimi i vizave deri pas zgjedhjeve të vitit 2019 në Bashkimin Evropian.

“Sot, kur ai paralajmërim është bërë fakt, përdoruesit e dhunës dhe intrigave, tash bashkë me partnerët e tyre qeverisës, sërish po fajësojnë Bashkimin Evropian. Dështimin në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Interpol po e shesin si dështim të Evropës, në rastin e liberalizimit të vizave, dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpolit”, thonë deputetët e LDK-së.

Më tej, GP i LDK-së thotë se Kosovës po i mbyllen dyert “sepse udhëhiqet prej njerëzve të izoluar. Këta po mundohen ta shpërthejnë izolimin e tyre, duke e izoluar Kosovën. Por, Kosova dhe qytetarët e saj do ta shpërthejnë izolimin duke i izoluar këta udhëheqës të papërgjegjshëm”.

“Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje. Dorëheqja e tyre është veprimi i vetëm që ju ka mbetur”, ka përfunduar LDK-ja.