Arbëri

Vuçiqi komenton deklaratën e Hoxhajt për “paktin anti-Serbi”

Descriptive Text

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pakti kundër Serbisë mes Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë e Malit të Zi, i proklamuar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një deklaratë për të përditshmen kroate “Vecernji List”, është demantuar nga vet ky i fundit.

Por, siç thotë Vuçiqi, Hoxhaj në asnjë moment nuk e kundërshtoi substancën e këtij pakti.


LEXOJENI EDHE KËTË

Hoxhaj kërkon në Kroaci, Maqedoni e Mal të Zi krijimin e një pakti kundër Serbisë


“Nuk do të hyjmë në formimin dhe shkatërrimin e çfarëdo pakti. Ne do të punojmë me Shkupin, Zagrebin, Podgoricën e Prishtinën, përderisa ato dëshirojnë bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira, por askujt nuk t’ia lejojmë që të poshtërojë Serbinë”, ka thënë Vuçiqi, transmeton Koha.net.

“Unë nuk besoj në ato pakte dhe ato çudira. Ne do t’i ndërtojmë interesat tona”, shtoi Vuçiqi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, tha se në intervistën që ai kishte dhënë për “Vecernji list” të Zagrebit, nuk kishte përmendur krijimin e ndonjë pakti kundër Serbisë.

“Unë kurrë nuk kam thënë asgjë për krijimin e një pakti rajonal kundër Serbisë! Titulli i tekstit dhe ajo që unë kam thënë në të vërtetë janë gjëra krejtësisht të ndryshme”, tha Hoxhaj për televizionin e Malit të Zi, “Antena M”.