Haradinaj-Hahnit: Kemi shpresuar se vjen me lajm të mirë për vizat

Haradinaj – Hahnit: Kemi qenë të detyruar të vëmë taksën për mallra ndaj Serbisë

03 December 2018 15:48
17:03

Shefi i ekzekutivit në Kosovë, Ramush Haradinaj, i ka thënë Komisionerit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, se Kosova ka qenë e detyruar ta vërë taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Sipas njoftimit për media nga Kryeministria, në takimin që kanë pasur Hahn e Haradinaj, është biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për taksën e vendosur nga Republika e Kosovës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

“Kryeministri vlerësoi se Kosova ka qenë e detyruar të ndërmarrë këtë hap, pas pengesave të vazhdueshme që i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë Kosovës në vazhdimësi, Serbia”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Gjithnjë sipas njoftimit, kryeministri Haradinaj, ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për rrugën e integrimeve evropiane, për prioritetet në sundimin e rendit dhe të ligjit, përmbushjen e prioriteteve që dalin nga MSA, dhe për zhvillimin ekonomik.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian, duke kërkuar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi me këtë do t’i hapej mundësi e mirë qytetarëve dhe bizneseve dhe Kosova do të jetë partner serioz për BE-në.

Kryeministri Haradinaj tha se të gjitha institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në zbatimin e reformave dhe të prioriteteve, dhe me këtë po dëshmojnë se integrimi evropian dhe avancimi i proceseve demokratike në vend është prioritet, thuhet në njoftim.

15:48

Haradinaj-Hahnit: Kemi shpresuar se vjen me lajm të mirë për vizat

Ka nisur takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me komisionarin për Zgjerim të BE-së Johannes Hahn.

Në nisje të këtij takimi kryeministri Haradinaj ka thënë se “kemi shpresuar se do të vini me lajm të mirë për liberalizimin e vizave për Kosovën para krishtlindjeve”.

Haradinaj ka shtuar se megjithatë, sipas tij Kosova është e fokusuar në agjendën evropiane, duke përmendur obligimet që dalin nga ERA 1, raporton KTV.

Pas këtyre fjalëve hyrëse të Haradinajt, takimi është mbyllur për media.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme