Arbëri

Policia e Shqipërisë me aksion për bllokimin e fishekzjarrëve

Nisur nga ngjarja e fundit ku gjatë një proteste para Parlamentit të Shqipërisë, mbeti e plagosur nga një kapsollë një punonjëse policie, nga shqetësimet e shumta të qytetarëve që kanë denoncuar në numrin 112 dhe në aplikacionin “Komisariati Digjital”, si dhe duke parë rrezikshmërinë e lartë për jetën që kanë këto mjete shpërthyese, Policia e Shtetit prej disa ditësh vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e Masave për kontrollin e tregjeve dhe bizneseve që kryejnë aktivitet në tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishek-zjarreve.

Në këtë kuadër, bazuar dhe në Ligjin Nr.9126, datë 29.07.2003 “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike e fishek-zjarreve në Republikën e Shqipërisë” si dhe Urdhrit të MB nr. 229, datë 08.05.2015 “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishek-zjarreve”, gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin nga strukturat e policisë është ushtruar kontroll në subjekte (dyqane dhe tregje), “Për mënyrën kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishek-zjarreve”, raporton tch.

Janë kontrolluar 1136 subjekte (dyqane të ndryshme, markete apo supermarkete) si dhe tregje të shumicës. Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar 643 kapsolla, si dhe 487 fishek-zjarre që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për jetën.

Janë dërguar materialet për vlerësim në Prokurori për 3 subjekte ku janë gjetur dhe sekuestruar kapsolla. Kontrollet janë përqendruar edhe në verifikimin e plotësimit të masave shtesë të sigurisë, si kamera dhe fikse zjarri.

Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjitha bizneseve që të mos tregtojnë kapsolla apo lëndë piroteknike si dhe të plotësojnë kushtet dhe kriteret për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishek-zjarreve, konform ligjit.

Policia e Shtetit iu bën thirrje prindërve që mos të lejojnë fëmijët të përdorin të tilla mjete shpërthyese pasi janë rrezik potencial për jetën e tyre dhe të të tjerëve, si dhe fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregtimit të lëndëve të mësipërme në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin “Komisariati Dixhital”.