Arbëri

Stafi i Kirurgjisë Vaskulare organizon aheng në orar të punës, ankohen pacientët e shtrirë në klinikë

Skandalet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk kanë të ndalur.

Së fundmi, Kohavisioni ka siguruar një video të stafit mjekësor në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të cilët shihen duke vallëzuar me këngë e valle në orarin e punës, raporton KTV.

Por, jo vetëm kaq. Me këtë veprim, stafi mjekësor i ka penguar pancientët e shtrirë në këtë klinikë.

Ata ankohen se sjellja e tillë mund të ndikojë për të keq në shërbimin që u ofrohet pacientëve.

Madje, shumë pacientë nuk kanë dashur të flasin para kamerave për këtë rast, pasi, siç kanë thënë, frikësohen se mund të ndëshkohen nga stafi mjekësor me shërbim më të keq.

Por, në QKUK po mohohet e tërë kjo nën arsyetimin se kanë festuar duke organizuar koktel rasti.

Por, “kokteli”, siç e quajnë në QKUK, ka ndodhur në orët e vona, duke shqetësuar pacientët e shtrirë.

Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që në spitalet e Kosovës po ndodhin raste të tilla.

Skandali i fundit i publikuar nga Koha.net lidhur me kushtet jashtëzakonisht të këqija të mbajtjes dhe ruajtjes së barnave në Barnatoren Qendrore në QKUK, ka nxitur reagime nga stafi i QKUK-së, duke kërcënuar sinjalizuesit me vërejtje.