Asambleja miraton kërkesën e Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës, “topi” te Qeveria e Kuvendi

30 November 2018 17:48

Një mbledhje e thirrur urgjent. Krejt kjo për ta shqyrtuar vetëm një kërkesë të vetme.

Atë të Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirit, i cili po pretendon që, përmes një iniciative, dy komunat e Mitrovicës t’i shndërrojë në një komunë të vetme, raporton KTV.

Dhe atë përmes ndryshimit të Ligjit për kufijtë administrativ.

Me të filluar mbledhja, Bahtiri sqaroi kërkesën e tij para asamblistëve, duke tentuar t’i bindë ata që ta përkrahin idenë e tij.

Por, PDK-ja thotë se Bahtiri ka rënë në grackën e Vetëvendosjes.

E, këtu, PDK-ja kërkoi që kësaj iniciative të Bahtirit t’i shtohen edhe disa pika shtesë, por që nuk morën mbështetje.

Iniciativa e cila i kërkon Qeverisë ta procedojë në Kuvend ndryshimin e disa neve të Ligjit për kufijtë administrativ të të dy komunave të Mitrovicës, mori mbështetjen të gjitha partive në asamble.

Me vota unanime, Kuvendi Komunal i Mitrovicës miratoi këtë iniciativë.

E, menjëherë pas mbledhjes së Kuvendit Komunal, Kryetari i Komunës doli në një konferencë për t’i bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që ta procedojnë më tutje këtë kërkesë.

Ideja e Bahtirit e ka nervozuar Listën Serbe. Kryetari i dorëhequr i komunës së veriut, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se shqiptarët duhet të merren me komunat e tyre e jo me ato serbe.

“Sapo më informuan që seanca përfundoi dhe se Mitrovica e Jugut solli një deklaratë që nuk ka bazë ligjore. Institucionet nga Prishtina madje u kanë thënë të mos vazhdojnë me këtë se s’ka bazë ligjore. Por, qëllimi i kësaj deklarate për ne është i qartë, e kanë për qëllim të na ndjekin nga aty. Edhe në Mitrovicën Jugore kanë bërë kështu. E kemi një porosi të qartë për ata, sepse nesër do të jemi të uritur por s’do të heqim dorë nga lufta që të mbesim aty, në tokën tonë me shekuj”, ka thënë Rakiqi.

Iniciativa e kryetarit Agim Bahtiri për bashkimin e qytetit të Mitrovicës nga dy komuna në një të vetme erdhi vetëm 4 ditë pasi katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës dhanë dorëheqje, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës prej 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme