Selimi kujton daljen e parë në publik të UÇK-së

Selimi e quan të çmendur Thaçin, thotë se presidenti ka plan sekret me Vuçiqin në dëm të Kosovës

29 November 2018 20:37
21:18

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i ka quajtur përralla deklaratat e presidentit Hashim Thaçi se takohet me homologun serb për të mirën e vendit. Sipas tij, dy kryetarët kanë marrëveshje sekrete në dëm të Kosovës.

Në Rubikon të KTV-së, Selimi ka thënë se dikur ish-bashkëluftëtari i tij është i koordinuar mirë me homologun serb Aleksandar Vuçiq për të gjitha ngjarjet në Kosovë. E ka quajtur të çmendur Thaçin.

Sipas tij, ata janë të koordinuar edhe për dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Ky është i çmendur... me fal, jo, jo.. nuk është vetëm i çmendur. Ky është fort i mençur, tash e ka marrë shembull Palestinën. Një herë i merr marrëdhëniet mes Gjermanisë e Francës. Paramendoje, sikur ne i kemi borxh Serbisë. Ku e dimë ne se çka fsheh ai, është përkujdesur shumë që të fshehë. Ai flet për marrëveshjen përfundimtare dhe çdo gjë që dimë ne është marrëveshja përfundimtare po nuk e dimë se çfarë përmban ajo marrëveshje. Ai po thotë diçka që as nuk e ka në plan ta bëjë, as që nuk mundet ta bëjë sepse s’e ka qëllim”, ka thënë Selimi.

Sipas Selimit, Thaçi e Vuçiqi kanë një marrëveshje. Ka thënë se çfarë mund të jetë ajo kur merr aprovimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që njihet si përkrahës i Serbisë.

“Unë mendoj që ai ka një plan, por që janë kujdesur që mos ta dijë populli i Kosovës dhe ka plan sekret mes Thaçit e Vuçiqit në dëm të Kosovës. Përderisa kjo marrëveshje është arritur mes Thaçit e Vuçiqit, si mund të jetë e mirë. Paramendojeni për çfarë bëhet fjalë kur një marrëveshje e tillë ka arritur të marrë aprovimin edhe të Putinit”, ka shtuar ai.

Selimi tha se Kosova nuk e shpalli pavarësinë e saj për ta lutur Serbinë që ta njohë këtë status dhe një gjë e tillë nuk ka nevojë të bëhet.

“Ne mund t’i themi Serbisë që nuk ta duam njohjen, në e kemi shpallur pavarësinë dhe nuk e kemi bërë për ta lutur Serbinë për të na njohur”, ka deklaruar më tej Selimi.

20:51

Selimi për deklaratën e Haradinajt: Do t’ia japim rastin që të përgjigjet edhe një herë, si mik që e kam

“Ia ka huq”, tha Rexhep Selimi në Rubikon të KTV-së për deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinajt drejtuar Selimit se gjatë luftës kishte qëndruar më shumë në Tiranë sesa në Prishtinë.

Selimi tha se nuk është meritë nëse do të kishte bërë burg ose do ishte plagosur. Sipas tij, një gjë e tillë është fat. Njëjtë, siç tha Selimi, është fat që s’u vra as Ramush Haradinaj.

Selimi duke kujtuar kohën e luftës, tha se Haradinaj, dikur bashkëpartiak i tij, ia ka huq, meqë thotë se vetë kishte qëndruar tërë kohën në Kosovë gjatë luftës.

Me ironi, Selimi tha se pasi që e ka shok, do t’ia japë mundësinë që të përgjigjet edhe një herë pasi sipas tij, nuk do të thotë gjërat e njëjta.

Selimi bëri të ditur se pa marrë parasysh këtyre deklaratave që shkëmbyen me njëri-tjetrin, raportet mes tyre vazhdojnë të jenë korrekte.

20:37

Selimi kujton daljen e parë në publik të UÇK-së

Në 21-vjetorin e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-komandanti Rexhep Selimi në Rubikon të KTV-së ka thënë se në atë kohë ishin pak në numër, por bënin shumë punë në të njëjtën kohë.

Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kishin dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.

Atë kohë, ndonëse me emrin ushtri, ata përbëheshin vetëm nga 20 persona, e që nuk e bënin të plotë emrin ushtri, ndonëse siç thotë Selimi, po ata 20 persona kryenin shumë punë në të njëjtën kohë.

“Pas kësaj jemi bërë ushtri. Ke të drejtë që kur e emërtuam nuk ishte një ushtri me strukturë, madje as përafërsisht, sepse numri i njerëzve ishte i paktë, por veprimet ishin të shumta pasi të njëjtit njerëz bënin punë të ndryshme”, shpjegon Rexhepi. “Dalja publike e UÇK-së është një fazë shumë e rëndësishme, por assesi jo e vetmja sepse po të ishte ashtu atëherë nuk do ta arrinim qëllimin. Edhe atëherë nuk kam pranuar të jem pjesë e delegacionit në Rambuje, edhe sot ndaj të njëjtin mendim, nuk duhej të isha pjesë e delegacionit sepse është dashur të jem këtu, ka pas zhvillime të rëndësishme”, shtoi tutje Selimi.

Ai theksoi se pa marrë parasysh vendimet nga negociatat e Rambujes, Ushtria Çlirimtare nuk do të prishej.

“Nuk do të mund të prishej UCK-ja nga vendimet e negociatave në Rambuje”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, shqiptarët e fituan luftën sepse UÇK-ja kishte hedhur themelet dhe ushtarët ishin përgatitur që të luftonin gjatë.

“Luftëtarët e UÇK-së e kanë pas fort njëmend dhe e kemi pas nda mendjen që të luftojmë gjatë dhe mos m’u ndalë”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme