Arbëri

Komisioni hetimor për dëbimin e 6 turqve bën përpjekjen e radhës për të intervistuar Thaçin e Haradinajn

Foto: Koha / ilustrim

Nesër në Kuvendin e Kosovës do të mblidhet sërish Komisioni Hetimor që është formuar për ta ndriçuar rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, më 29 mars të këtij viti.

Sipas agjendës, para këtij komisioni është paraparë që të paraqitet presidenti i vendit Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj.

Po ashtu do të dëshmojë edhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Lulzim Ejupi.

Lexo edhe: Mungesa e krerëve shtetërorë përplas pozitë e opozitë në Komisionin hetimor për dëbimin e 6 turqve

Ky Komision ka dështuar të hënën ta mbajë këtë mbledhje, meqë as Thaçi e as Haradinaj nuk i ishin përgjigjur ftesës. Kreu i shtetit ishte arsyetuar me vizitën e tij në SHBA, ndërsa kryeministri me agjendën e ngarkuar rreth mbledhjes së dy qeverive.

Gjashtë shtetasit turq janë dëbuar nga Kosova, me 29 mars të këtij viti. Pas kësaj është shkarkuar Flamur Sefaj që mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme si dhe shefi i AKI-së Driton Gashi.