Veseli nga Boletini porosit se Kosova është një dhe e pandashme

Veseli nga Boletini porosit se Kosova është një dhe e pandashme

28 nëntor 2018 11:20

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nga fshati Boletin në veri të Mitrovicës ka porositur se Kosova është një dhe e pandashme, ashtu siç e donte Isa Boletini dhe heronjtë Adem Jashari e Adem Demaçi.

Derisa ka bërë homazhe në Kullën e Isa Boletinit, Veseli ka thënë se sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm dhe se fqinjësia e mirë është e pashmangshme për Ballkanin.

“Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Sot dhe përgjithmonë! Ndërsa fqinjësia e mirë është e ardhmja e pashmangshme për të gjithë në rajonin tonë. Urime 28 nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Për jetë e mot qoftë i nderuar kombi ynë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

“Sot, në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, nga Vlora në Boletin, nga Presheva në Ulqin, nga Shkupi në Shkodër, na bashkon nderimi për të parët tanë, na bashkon nderimi për të gjithë ata burra e gra që edhe në ditët më të vështira mbajtën gjallë idenë e kombit dhe bënë gjithçka mundën për lirinë e tij”. Kështu tha sot në Boletin të Mitrovicës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Kreu i Kuvendit tha se e gjithë jeta e Isa Boletinit sublimon përpjekjet e vazhdueshme të kombit tonë për liri dhe dinjitet.

“Çdo 28 nëntor ne ngjitemi në këtë kodër historike, sepse këtu, në këto male të Shalës, këtu në konakun e Isa Boletinit, i ka rrënjët liria jonë kombëtare. Isa Boletini ishte njeri i pushkës dhe i fjalës. Ishte shëmbëlltyrë e tolerancës dhe e bashkëjetesës ndëretnike. Për Isa Boletinin patriotizmi nuk nënkuptonte urrejtjen dhe mohimin e të tjerëve që janë ndryshe”, theksoi Veseli.

Isa Boletini, shtoi Veseli, jetoi dhe veproi duke besuar se respekti për veten nënkupton edhe respektin për të tjerët. Ky parim, sipas tij, sot është vlerë për ne, për shtetin tonë dhe mbarë kombin tonë.

“Republika e Kosovës është shtëpia e përbashkët për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve etnike që ata kanë. Komunitetet pakicë janë vlerë e patjetërsueshme e shtetit dhe identitetit tonë si Kosovë. Të drejtat e tyre janë dhe do të mbesin të pandashme nga të drejtat e shumicës”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Veseli bën nderime te varri i Adem Demaçit për 28 Nëntor

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e Festës së 28 Nëntorit, bëri homazhe te varri i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Në shenjë kujtimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e Demaçit, në shërbim të kombit dhe atdheut, Veseli vendosi lule pranë varrit të tij.

“Sot është një ditë e madhe për kombin tonë. Në këtë ditë, kemi për obligim të jemi pranë kujtimit të atyre që me jetën e tyre e nderuan kombin. I tillë ishte Adem Demaçi, simboli më unik i gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës. Gjithë jeta e Adem Demaçit ishte në shërbim të frymës së 28 Nëntorit, prandaj sot jemi këtu për të nderuar dhe për t’u përkulur para këtij burri të madh të kombit”, ka thënë me këtë rast Veseli.

Po ashtu, kreu i Kuvendit ka bërë sot homazhe edhe tek varret e Gjeneral Major Ilir Konushevci, Hero i Kombit dhe Dr. Hazir Malaj, Dëshmor i Kombit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme