Bolton: SHBA-ja do të ndihmojë Kosovën e Serbinë drejt qëllimit historik

Bolton: SHBA-ja do të ndihmojë Kosovën e Serbinë drejt qëllimit historik

28 nëntor 2018 01:29

Këshilltari kryesor për sigurinë kombëtare i Presidentit Donald Trump, John Bolton ka njoftuar, të martën pas mesnate, për takimin që ka pasur në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Boltoni, që e kundërshton fuqishëm pavarësinë, nuk ka përmendur fjalën shtet, por ‘palë’, kur ka folur për Kosovën e Serbinë, raporton KTV-ja.

“E takova Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë. U pajtuam që tani është koha për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. SHBA-ja është e gatshme t’u ndihmojë të dyja palëve për të arritur këtë qëllim historik”, ka shkruar Bolton në Twitter.

Ish-ambasadori i SHBA-së në OKB është i vetmi zyrtar i lartë amerikan, që ka thënë se shteti i tij do të përkrahë shkëmbimin e territoreve nëse për këtë pajtohen Kosova dhe Serbia.

Ai ndër vite, ka pasur një sërë paraqitjesh në televizionin shtetëror rus “Russia Today”, për të folur kundër pavarësisë së Kosovës, duke shprehur frikën se vendi do të nxiste ‘ekstremizmin islamik’ në Evropë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme