Arbëri

Rama: Ushtria e Kosovës nuk do të ketë tanke

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Ushtria e Kosovës nuk do të ketë tanke pasi Kosova është vend i vogël dhe aspiron anëtarësimin në NATO.

Edhe pse ka thënë se është herët të flitet për armatimin që do të ketë Ushtria pas formimit, gjenerali Rama ka thënë se problemi me armatimin është botëkuptimi popullor si ushtri e pajisur me armatim të rëndë.

“Është pyetje që është pak herët që të deklarohemi, por jam i sigurt që pas vendimit politik, do të njoftoheni me kohë. Ditët e hapura [për qytetarët] do të ndodhin edhe në të ardhmen. Dyert tona janë të hapura çdo ditë për qytetarët. Kemi qenë transparent dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë pasi nuk kemi çfarë të fshehim. Ne jemi të detyruar që t’i japim llogari qytetarëve, përveç institucioneve. Unë duhet të raportoj dhe të jap përgjegjësi për zhvillimet që ndodhin”, ka thënë Rama.

“Problemin më të madh e kemi te mentaliteti. Strategjia e sigurisë në nivel global ka ndryshuar. Mund të them se nuk do të kemi tanke. Jemi vend i vogël ndërsa qëllimi ynë është që të jemi pjesë e NATO-s. Kur je pjesë e NATO-s është ndryshe”, ka thënë ai.

Rama thotë se janë larguar 71 ushtarë të komunitetit serb

I pyetur për largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga FSK-ja, Rama ka thënë se deri më tani ka nënshkruar largimin e 71 ushtarëve të këtij komuniteti ndërsa ka fajësuar Serbinë për presionin që po bën ndaj tyre.

“Më gëzon edhe një fakt që bazuar në kërkesat e tyre për demobilizim nuk kemi pasur fjalë nga ata për trajtim të keq dhe gëzohem se kanë qenë të trajtuar mirë. Numri aktual dhe real është 71të larguar nga FSK-ja. Gjysma e pjesëtarëve serbë janë larguar. Patjetër janë larguar nga presionet personale dhe familjare. Janë ndalë në kufi, u kanë ofruar para dhe marrin paga vetëm që të largohen nga FSK-ja. Edhe te ushtarët që kanë mbetur vazhdon të ketë presion sistematik”, ka thënë Rama.