Haradinaj e Rama vizitojnë Prekazin, “vendin që bashkon të​ gjithë shqiptarët” Foto: ZKM

Haradinaj e Rama vizitojnë Prekazin, “vendin që bashkon të​ gjithë shqiptarët”

26 November 2018 17:10

Nderi dhe lavdia është për të rënët për liri, por edhe ne do të rrugëtojmë në rrugën e tyre.

Kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi bëri homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari, në Prekaz, në vigjilje të festave të nëntorit, bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe ministrat nga dyja qeveritë.

Fillimisht Haradinaj dhe Rama kanë vizituar kullën e Jasharëve, ku janë pritur nga Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari.

Pas vizitës në Kullë, dy kryeministrat shqiptarë, të shoqëruar edhe nga kryetari i Kuvendit dhe Rifat Jashari, kanë vënë kurora me lule te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës vlerësoi se Prekazi është vendi ku i bashkon gjithë shqiptarët, duke thënë se ka nderin që bashkë me kabinetin e Shqipërisë dhe kryeministrin Rama të bëjnë homazhe në Prekaz.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama falënderoi për mikpritjen dhe mundësinë që të nderojnë historinë e lavdishme të kësaj familje, kësaj toke.

“Nuk ka vend më të përshtatshëm për t’i uruar të gjithë shqiptarët kudo që janë për festën e flamurit kuq e zi, flamurit me shqiponjën dy krenare që është simboli që duhet të na inspirojë çdo ditë për të qenë një trup dhe dy shtete me sytë drejt bashkimit tonë kombëtar në Evropën e Bashkuar”, tha Rama.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se dita e flamurit është shpresë, perspektivë, bashkim dhe ecje përpara në realitetin në të cilin jemi.

Rifat Jashari falënderoi të dy kabinetet qeveritare për vizitë, duke uruar festat e nëntorit. “Uroj që gjithmonë të jemi bashkë ashtu sikur jemi sot këtu”, tha Jashari.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme