Arbëri

Avokati i Popullit i rekomandon MASHT-it e MD-së që t’ua mundësojnë të dënuarve vijimin e shkollimit

Foto: Koha / ilustrim

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë dhe për Ministrinë e Drejtësisë lidhur me të drejtat për arsim dhe edukim të personave të dënuar.

Qëllimi kryesor i Raportit është tërheqja e vëmendjes së autoriteteve kompetente të Kosovës që t’i respektojnë të drejtat për arsimin dhe edukim të personave të dënuar, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, si dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e të burgosurve.

Avokati i Popullit, më 5 korrik 2018, ka pranuar ankesën e E.B. kundër Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), i cili ankohet në emër të të birit të tij V. B., që është duke vuajtur dënimin me burgim në Qendrën Korrektuese në Lipjan, në lidhje me pamundësinë për të vazhduar studimet universitare.

Avokati i Popullit, rikujton se arsimimi i të miturve dhe madhorëve, të cilët janë të dënuar dhe qëndrojnë në institucionet korrektuese, është një nga detyrimet kryesore të institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës, që buron nga Kushtetuta, ligjet në fuqi dhe instrumentet ligjore ndërkombëtare. Si i tillë, ky detyrim i institucioneve për të realizuar një nga të drejtat themelore të njeriut, siç është ofrimi i mundësisë për arsimim për të rinjtë, nuk mund të shmanget as për të miturit që qëndrojnë në qendrat korrektuese, si në rastin konkret QKL-ja.

“E drejta e të gjithë njerëzve për arsimim, është mishëruar në nenin 26, paragrafi 1 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut: ‘Gjithkush gëzon të drejtën e shkollimit...’. Në këtë drejtim, ‘Rregullat e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Miturve të Privuar nga Liria’, të miratuara në vitin 1990 (Rregullat), përcaktojnë se: ‘Çdo i mitur i moshës së detyrueshme për shkollim ka të drejtë për arsim të përshtatshëm për nevojat dhe aftësitë dhe të përcaktuara për përgatitjen e tij apo të saj për kthim në shoqëri’. Në të njëjtën frymë janë edhe ‘Rregullat Evropiane të Burgut’, që i kushtojnë një vëmendje të posaçme të drejtës në arsimim, duke përcaktuar se: ‘Çdo burg duhet t’u japë të gjithë të burgosurve të drejtën për të marrë pjesë në programe edukative, të cilat janë të kuptueshme dhe plotësojnë nevojat individuale duke marrë parasysh aspiratat e tyre’”, potencon Avokati i Popullit në raportin e publikuar gjatë ditës së sotme.

Gjithashtu edhe rekomandimi nr. R(89) 12 për arsimin në burg, i miratuar nga Komiteti i Ministrave të KE-së, në vitin 1989, thotë AP, të drejtën në arsim e përcakton si themelore dhe si një nga mënyrat kryesore që lehtësojnë ri-integrimin në shoqëri të personave të dënuar.

“Standardet ndërkombëtare përcaktojnë detyrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që të garantojnë të drejtën për arsimim, si një e drejtë themelore edhe për personat në vuajtje të dënimit. Për më tepër, Avokati i Popullit, rikujton se një obligim i tillë është i theksuar qartësisht edhe në legjislacionin e brendshëm. E drejta për arsimim, si e drejtë themelore e njeriut, përcaktohet edhe në legjislacionin e Republikës së Kosovës. Në përputhje me frymën dhe tekstin e akteve ndërkombëtare të përmendura me lartë, edhe në legjislacionin e brendshëm, e drejta për arsimim garantohet edhe për personat e privuar nga liria”, thuhet më tej në Raportin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit tërheq vërejtjen se, edhe vendimet e institucioneve të Kosovës, në veçanti të MASHT-it, duhet të jenë në interesin më të mirë të personave të mitur, edhe kur bëhet fjalë për organizimin e procesit mësimor në QKL. Ky parim, thotë AP, përcaktohet edhe në Kushtetutë, gjegjësisht nenin 50, paragrafi 4, ku thuhet se: “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve”. Gjithashtu, i njëjti përcaktim parashihet edhe në Konventën për të Drejtat e Fëmijës, ku në nenin 3, paragrafi 1 thuhet se: “Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese”.

Avokati i Popullit rikujton se Kodi i Drejtësisë për të Mitur (KDM), në nenin 119 përcakton se: “Nëse nuk ka orë mësimore për lëndë të caktuara ose nuk ka nivel arsimor në institucionin edukativ korrektues, i mituri lejohet të vijojë mësimin jashtë institucionit edukativo-korrektues, nëse vijimi i tillë i mësimit nuk është i dëmshëm për ekzekutimin e masës edukative dhe vendimi arsyetohet me përparimet e mëparshme të të miturit në shkollim”.

Më tej, Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, në nenin 84, paragrafi 1 përcakton se: “Përmes programeve të veçanta, drejtori i institucionit korrektues, i mundëson personit të dënuar vijimin e shkollimit fillor, të mesëm, universitar, apo ndonjë shkollim tjetër. Shpenzimet e shkollimit të tillë mbulohen nga personi i dënuar”.

Në bazë të këtyre konstatimeve, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë dhe Ministrisë së Drejtësisë të nxjerrin një akt nënligjor në pajtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitarë dhe Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, i cili do të precizonte mënyrën e realizimit të së drejtës për arsimim universitar për personat e mitur dhe madhorë që janë në vuajtje të dënimit.