Arbëri

Parashikimi i motit për këtë javë në Kosovë

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, fushat me presion të ulët që kanë përfshirë vendin tonë orëve të fundit, do të vazhdojnë të mbeten prezente deri ditën e mërkurë, duke krijuar kushte për mot kryesisht të vranët dhe me reshje shiu deri sa në viset malore do të ketë mundësi edhe për reshje bore. Të mërkurën reshjet e borës vende-vende mund të arrijnë edhe në viset e ulëta.

“Sa i përket fushave termike, dita e hënë mbetet me temperaturat më të larta, kurse në ditët tjera, grafiku i fushave termike do të shënoj rënie duke regjistruar edhe vlera negative, sidomos të enjten dhe të premten. Temperaturat minimale parashihen të bien deri në -5 gradë, ndërsa maksimalet e ditës deri 12 gradë (të hënën)”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Gjithashtu, sipas IHMK-së, të hënën do të ketë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi mbi 16m/s, kurse ditët tjera, era do ta ndërroj kahun në drejtim të verilindjes me shpejtësi deri 6m/s.

“Shtypja atmosferike nga mesi i javës do të shënoj rritje të ndjeshme duke mundësuar që ato masa anticiklonike të bllokohen për 4-5 ditë duke bërë që vlerat e ndotjes të shënojnë rritje”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.