Arbëri

Thaçi në SHBA për marrëveshjen Kosovë – Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pritet të diskutojë për një marrëveshje Kosovë – Serbi me përfaqësues të lartë amerikanë.

Sipas një njoftimi nga presidenca, Thaçi pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë me John Boltonin, këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit, Donald Trump, si dhe me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo.

“Në këto takime, presidenti Thaçi do të bisedojë për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i siguron Kosovës njohje nga Serbia dhe i hap rrugë për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB”, thuhet në njoftim.

Thaçi, sipas njoftimit, do të takohet me kongresistë e senatorë, por edhe me ish-presidentin George W.Bush.

“Vizita e presidentit Thaçi në Uashington vjen në një periudhë të rëndësishme për vendin, ku Kosova është duke bërë përpjekje për konkretizimin e perspektivës euroatlantike dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, mbyllet komunikata nga presidenca.