Arbëri

Protestantët e Kosovës ankohen për mungesën e vendvarrezave

Komuniteti protestantë në Kosovë është ankuar për mungesën e vendvarrezave, mosdhënien e lejeve për ndërtimin e hapësirave për kishat, moskalimin e ligjit të fesë në Kuvendin e Kosovës, si dhe mostrajtimin e duhur të çështjes së pronave.

Kjo u fol në takimin që mbajti ambasadori i OSBE në Kosovë, Jan Braathu, me përfaqësues të Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës.

Ambasadori u informua me gjendjen dhe pozitën e komunitetit protestant në Kosovë në konsilidimin, përparimin, për rolin dhe pjesëmarrjen aktive të këtij komuniteti në shoqërinë kosovare për avancimin e mëtejmë të përpjekjeve për një Kosovë të re, Kosovë evropiane si dhe Kosovë demokratike dhe zhvillimore.

Pastor Femi Cakolli falënderoi për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që OSBE dhe institucione tjera ndërkombëtare të vendosura në Kosovë i kanë dhënë vendit tonë, që populli i Kosovës të ketë një jetë dhe siguri më të mirë, dhe bashkë me këtë edhe komuniteti ynë gjatë dy dekadave të fundit.

Sipas një komunikate, udhëheqësit e KPUK, në këtë takim, ndanë disa nga përparimet e këtij viti dhe ato të 5 viteve të fundit që ka shënuar, sikurse edhe listuan disa sfida që ky komunitet po i has tash e shumë kohë.