Arbëri

Kushtëzon Vuçiqi, “hiqni tarifat barbare dhe menjëherë do të bisedojmë”

“Tërhiqni tarifat barbare dhe menjëherë do të bisedojmë”, tha sonte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas mbledhjes që pati me kryeministren Ana Bërnabiq dhe të gjithë ministrat e tjerë në lidhje me situatën e krijuar pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe arrestimit të sotshëm të katër të dyshuarve për vrasjen e politikanit serb në Mitrovicë, Oliver Ivanoviqit, transmeton Koha.net.

Ndërprerja e tregtisë me Kosovën paraqet përpjekjen më të rëndësishme për destabilizimin e Serbisë, ka thënë Vuçiqi duke njoftuar për mbledhjen me Qeverinë serbe.

Pasi ka thënë se Serbia nuk pranon kurrfarë rregullash të reja dhe kushtëzime, i ka bërë thirrje Prishtinës që të shfuqizojë, siç i ka quajtur ai, tarifat e kundërligjshme, barbare dhe anticivilizuese, në të kundërtën nuk do të ketë vazhdim bisedimesh.

Siç ka thënë ai, vendosja e taksës nga Kosova përbën shkelje të të drejtave dhe lirive fundamentale në të cilat mbështetet shoqëria bashkëkohore. “E bën këtë për ne nga motive të panjohura, por me mbështetje të fuqive evropiane”, ka thënë Vuçiqi.

“Ata do të përpiqen të bisedojnë me ne, por që ne të pranojmë një pozicion të ri dhe pastaj të jemi të lumtur që të pranojmë taksën prej 10 për qind, ndërsa ideja tjetër e tyre është që ne t’ua japim energjetikën, ndërsa ata të tërheqin taksën. Ideja e tretë është të bëjmë diçka për Prishtinën, e ata të lajnë fytyrën. Serbia këtë nuk do ta pranojë”, citon Blici Vuçiqin pas mbledhjes me Qeverinë serbe, transmeton Koha.net.

“Serbia nuk do të pranojë kushtëzim të ri. Tërhiqni tarifat barbare, kur t’i tërhiqni, mund të bisedojmë”, është shprehur ai.

Ai e ka quajtur histeri operacionin e sotshëm të Policisë së Kosovës për arrestimin katër serbëve të dyshuar për vrasjen e liderit serb nga Mitrovica, Oliuver Ivanoviqit.

Për të gjitha këto ai ka thënë se “qëllim kryesor i shqiptarëve është që serbët të braktisin Kosovën, që atje të mos ketë më serbë, që fëmijëve të tyre t’u thonë se s’kanë ardhmëri.