Arbëri

Ministri Lekaj thotë se aeroplani që do të merrte gylenistët kishte leje fluturimi

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka thënë se ministria që ai drejton nuk ka asnjë përgjegjësi rreth verifikimit të qëllimit të fluturimeve që kërkojnë leje, dhe se kompania që ka kryer deportimin e gjashtë shtetasve turq ka vërtetuar ligjërisht se ka të drejtën e lejes për fluturim.

Para Komisionit Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve, Lekaj sot ka thënë se nuk ka dëshmi për shkelje në këtë rast nga ana e ministrisë që ai drejton, ndërsa shtoi se në aspektin për siguri ai nuk mban përgjegjësi dhe se dikasteri që ai drejton ka vepruar sipas kompetencave.

“Qëllimi i këtij operimi ajror ka qenë biznesor me një pasagjer të deklaruar në ardhje dhe shkuarje. Në Ministrinë e Infrastrukturës është kërkuar leja për fluturim fillimisht me datën 30.03.2018, arritja në Prishtinë në ora 07:45 minuta dhe kthimi në 10:45, që është dy orë. Me datën 28.03.2018 është ndryshuar kërkesa ashtu që është kërkuar leja për aterrim me datën 29.03.2018 në ora 07:15 dhe me kthim në ora 11:30. Në bazë të dhënave nga qendra e aeroportit shihet se ky aeroplan ka arritur saktë në ora 09:03, e planifikuar në ora 09:45 dhe ka shkuar në ora 10:53, e planifikuar në ora 12:00 sipas kohës sonë. Ministria e infrastrukturës nuk është përgjegjëse për verifikim të qëllimit të fluturimit për të cilin është kërkuar leja. Shkeljet dhe masat disiplinore, nëse vërtetohet se kompania ajrore ka keqpërdorur lejen në fluturim për qëllime të tjera nga ato të cilat është kërkuar, atëherë Ministria e Infrastrukturës mund të marrë masa ndëshkimore, pezullim dhe revokim i licencës së lëshuar për një kohë të pacaktuar ose të pacaktuar dhe gjobë administrative deri në një milionë euro. Ndërsa sanksionet për vepra penale janë paraparë me ligj”, tha Lekaj, transmeton KsP.

Ai tha se Ministria e Brendshme duhet të verifikojë nëse ka pasur shkelje, përderisa bëri të ditur se nga kjo ministri ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me rastin.

Deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi ka pyetur Lekajn se kush e menaxhon hapësirën e aeroportit prej nga dyshohet se u nxorën gylenistët, ndërsa ministri i Infrastrukturës tha se këtë menaxhim e bën Policia Kufitare e Kosovës.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj ka ngritur dyshime se nëse vazhdon ky mos koordinim i ministrive, atëherë fluturime të tilla me keqpërdorime mund të ndodhin edhe në të ardhmen.

“Nëse ju ia leni fajin Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 25 prill keni kërkuar prej tyre, dhe s’keni marrë asnjë masë, dhe po e prisni akoma MPB-në atëherë jemi duke folur për probleme shumë më të mëdha, qeveri ka probleme madhore me komunikim reciprok me vet dikasteret e qeverisë. A ka kërkuar kryeministri prej juve ose ju prej kryeministrit që Ministrit të punëve të brendshme me i thanë se kemi abuzuar deri në atë masë saqë që të gjykojnë edhe shtetet e tjera se jo vetëm ne këtu brenda, a është normale kjo, edhe pas 7 muajsh po flasim, atëherë këtu diçka këtu s’po funksionon”, tha Selmanaj.

Por, deputeti i PDK-së Hajdar Beqa ka kundërshtuar Selmanajn duke i thënë atij që t’i lë anash inatet politike.

për zbardhjen e rastit të gylenistëve, të paktën mandatin që e kemi nga Parlamenti nuk është për me vlerësuar punën e Qeverisë, as performancën e Qeverisë, as për me bë kalkulime politike, ne kemi mandat me zbardh çështjen e deportimit të gjashtë shtetasve turq edhe me shikuar a janë shkelë procedurat edhe kush i ka shkelë procedurat kur nuk ka funksionuar hallka shtetërore. Kisha kërkuar edhe nga ju, edhe nga Dritoni, por edhe nga të gjithë që t’i lëmë kalkulimet politike në këtë rast, mos t’i përziejmë politikën me hetimet se janë dy çështje të ndryshme”, tha ai.

Ministri Lekaj ka treguar si do të veprojnë në rast se vërtetohet keqpërdorimi i kompanisë së fluturimit.

“Nëse vërtetohet prapë po e them që është keqpërdorë, janë përgjegjësitë e Ministrisë së Infrastrukturës për të marrë procedurat administrative për t’ia ndaluar fluturimin dhe gjobën deri një milion euro, këto janë ato që ne i bëjmë për gjërat tjera janë organet tjera që nuk dua të komentoj”, tha Lekaj.

Kryetari i këtij komisioni Xhelal Sveçla ka përmendur kontaktin që Ministria e Infrastrukturës duhej ta kishte me kompaninë që organizoi fluturimin e gylenistëve drejt Turqisë.

“Meqenëse Ministria e Punëve të Brendshme nuk i është përgjigjur letrës suaj, apo nuk ju ka dhënë dëshmi të cilat i keni kërkuar, atëherë a keni kontaktuar me agjencinë e cila ka organizuar këtë fluturim, në bazë të një dyshimi të bazuar? A keni kontaktuar me agjencinë me pyet që në bazë të këtij dyshimi çfarë ka ndodhur, dhe pse s’keni kontaktuar, nëse jo”, ishte pyetja e Sveçlës për Lekajn.

Mirëpo, edhe në këtë pikë Lekaj thotë se janë ndjekur procedurat.

“Masat edhe komunikimi që e kam pas menjëherë pas thash informatën qe e kom marrë nga mediat, dhe kam thirrur gjithë ato që i përmendët, komplet kam komunikuar dhe duke u bazuar në kërkesën prej fillimit të procedurës së kërkesës prej avio-kompanisë dhe deri në momentin e marrjes së lejes, ai e ka dëshmuar ligjërisht që ka pasur të drejta me iu lëshuar leja, për keqpërdorime për këto thashë janë të ndara përgjegjësitë”, tha Lekaj.

Deputeti Muharrem Nitaj nga radhët e AAK-së i doli në mbrojtje ministrit Lekajt, duke treguar arsyet pse Ministria e Infrastrukturës nuk ka përgjegjësi në rastin e deportimit të gylenistëve.

“Kjo i bie sikur një taksi ordinere të bartë disa vrasës dhe pastaj ne të kërkojmë përgjegjësi prej shërbimit të taksisë që i ka bartë udhëtarët. Kam përshtypjen zoti ministër, se ju do të duhej ta përmbyllni dëshminë tuaj, se ju nuk keni asnjë përgjegjësi të vetme në gjithë këtë procedurë. Ne duhet të kërkojmë nga shërbimi inteligjent i Kosovës, nga Policia e Kosovës, se kush i ka urdhëruar ata njerëz që të shkelin procedurat dhe t’i deportojnë gjashtë shtetas turq pa u zbatuar ligjet që janë në fuqi të Republikës të Kosovës”, tha Nitaj.

Ish-drejtori i Departamentit të Aviacionit Civil, Ismail Berisha, dhe drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini kanë raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Berisha me këtë rast tha se Aviacioni civil nuk ka qenë i informuar për deportimin e shtetasve turq më 29 mars të këtij viti dhe po ashtu nuk ka qenë i njoftuar as për natyrën e fluturimit.

“Jo, për natyrën e fluturimit jo. Pasi që unë e thashë, kam kërkuar të dimë për natyrën e fluturimit, çka ka ndodhur, sepse në kërkesën që është bërë, ishte operim ajror rajonal, biznesor, një pasagjer vajtje-ardhje edhe asgjë më shumë. Kjo ka qenë e gjitha”, ka thënë Berisha.

Ai tha të jetë kontaktuar nga Policia e Kosovës vetëm pasi ka ndodhur rasti, e më vonë edhe nga dy zyrtarë të AKI-së. Sipas tij, policia i ka kërkuar informata për rastin në fjalë, ndërsa zyrtarët e AKI-së kanë kërkuar të japin informacione nëse kanë dyshime për ndonjë rast të ngjashëm.

Për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, Berisha tha se ishte informuar vetëm nga mediat.

“Për rastin që ka ndodhur, të njëjtën ditë e kemi marrë vesh. Të njëjtën ditë, sepse u bë publike, transparente nga mediat, gjitha ato, edhe menjëherë jemi takuar në kabinetin e ministrit, e kemi diskutuar rastin, kemi bërë planin e veprimeve, se çfarë veprime do të ndërmarrim dhe në bazë të asaj kemi vepruar deri në fund ku neve na pamundësohet të veprojmë më tutje”, ka thënë Berisha.

Lidhur me kërkesën që kanë marrë nga kompania e fluturimeve që barti gylenistët drejt Turqisë, Berisha tha se ka qenë kërkesë për taksi, një pasagjer vajtje-ardhje, dhe si të tillë edhe e kanë miratuar. Sipas tij, nga ana e operatorit të fluturimeve ka pasur shkelje lidhur me lejen që Aviacioni Civil ua ka dhënë.

Ndërsa Bahri Nuredini nga Agjencioni i Shërbimeve të Navigacionit Ajror tha se nga institucioni që ai udhëheq nuk ka pasur shkelje, ndërsa operatori i fluturimit ka hyrë në Kosovë me leje dhe nga aspekti i sigurisë nuk ka pasur ndonjë cenim.

“Agjencioni i Shërbimeve të Navigacionit Ajror ofron shërbime të trafikut ajror. Në këtë rast ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për dhënien e lejeve ndërsa aeroporti dërgon në baza ditore 24 orë më herët planin e fluturimeve dhe për neve, ne kemi filluar hetimin vetëm e vetëm, sepse ka pasur kërkesë, sepse nga aspekti i sigurisë ka qenë çdo gjë në rregull, fluturim vajtje-ardhje dhe i cili realisht i është nënshtruar komplet rregullativës së shërbimeve së kontrollit të trafikut ajror. Ne e gjykojmë se nuk ka pasur shkelje”, ka thënë Nuredini.

Gjatë ditës së sotme, ky komision ka intervistuar edhe ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn, ndërsa intervistimi i inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkelzen Sopjani është bërë pa praninë e mediave.

Më 29 mars të këtij viti, gjashtë shtetas turq u deportuan nga Kosova dhe u dorëzuan në Turqi. Për dorëzimin e gylenistëve institucionet kosovare morën vërejtje jo vetëm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët.