Arbëri

Përditësohet regjistri qendror për leje dhe licenca

Qeveria e Kosovës ka bërë rishikimin dhe përditësimin e regjistrit të lejeve dhe licencave, në bashkëpunim me të gjitha ministritë dhe autoritetet e tjera, përfshirë edhe agjencitë e ndryshme.

Versioni i përditësuar i regjistrit qendror të lejeve dhe licencave u bë sot në Prishtinë, për të cilin, zyrtarë ligjorë të Zyrës së kryeministrit thanë se ishte i nevojshëm dhe përmes tij synojnë të rrisin transparencën dhe llogaridhënien.

Besnik Tahiri, koordinator nacional për reforma shtetërore, tha se në këtë mënyrë po e rrisin transparencën.

“Përmes këtij përditësimi të regjistrit qendror për leje dhe licenca ne po e rrisim sistemin e llogaridhënies karshi intelekutorëve tonë, në të njëjtën kohë po e rrisim edhe transparencën duke e ditë se të dy këto elemente dhe ky sistem transparent qendror në masë të madhe e afekton lehtësimin e punës së sektorit privat si beneficiues, ndërkohë e lehtëson edhe ballafaqimin tuaj me palë që është një problem krucial me të cilin ballafaqoheni për arsye të ndryshme. Me lansimin e regjistrit qendror ne po e reduktojmë barrën administrative në njërën anë, dhe në anën tjetër po e thjeshtësojmë procedurën e aplikimit për leje dhe licenca për të gjithë të interesuarit. Nuk ka më mundësi për askënd që të ankohet nuk e kam ditë ku është ky dokument, nuk e kam parë si aplikohet, për shkak se gjithçka, secila të dhëna, informacione, janë të prezantuara për të gjithë njësoj në platformën online”, tha ai, raporton Ksp.

Ndërsa Mentor Borovci, drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, duke treguar se gjendja në regjistër nuk ka ndryshuar që nga viti 2015, tha se e kanë parë të nevojshëm një përditësim të tillë.

“E kemi parë të nevojshme që t’i hyhet procesit të përditësimit të regjistrit të lejeve dhe licencave në mënyrë që të reflektohet gjendja e cila ekziston. Në këtë kuptim i jemi adresuar prapë për mbështetje Blertës dhe IFC-së nga të cilët kemi marrë mbështetje dhe i kemi hyrë përditësimit të regjistrit të lejeve dhe licencave. Ky obligim nuk është vetëm praktik dhe ligjor, ka qenë edhe një kërkesë që është dalë nga plani kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe Erës dhe Qeveria e Kosovë me këtë përditësim ka implementuar edhe këtë aktivitet që ka dalë nga këto dy dokumente që rrjedhin nga agjenda evropiane”, tha ai.

Katrin Ochsenbein, këshilltare rajonale dhe menaxhere e programit për ekonomi dhe punësim në Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, theksoi se reforma të tilla nuk janë të lehta.

“Presim që kjo të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve qendrore, është shumë e rëndësishme. Jemi duke punuar me kolegë të Bankës Botërore për reformuar edhe inspektimin e bizneseve dhe mirëpresim të gjitha angazhimet e Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë e dimë që disa prej këtyre reformave nuk janë të lehta dhe kërkojmë hapa të caktuara nga liderët që kanë një pikëpamje afatgjatë të zhvillimit të vendit”, tha ajo.

Ndërsa Thomas Lubeck, menaxher në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), tha se një prej sfidave kryesore në Kosovë është punësimi.

“Një ndër sfidat kryesore në Kosovë është krijimi i mundësive për punësim brenda vendit. Është me rëndësi që njerëzit të kenë vende të punës në mënyrë që të kenë të hyra dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës. Sektori publik ka një përqindje të madhe të të punësuarve në Kosovë, por do të jetë sektori privat dhe bizneset private që do të jenë shtytësi kryesor i krijimit të mundësive të reja në të ardhmen”, tha ai.

Në këtë lansim u tha se në vitin 2015, kur edhe u krijua regjistri, kanë qenë 480 leje dhe licenca.

Sipas hartuesve, në këtë regjistër janë përfshirë në mënyrë online të gjitha llojet e lejeve dhe licencave që lëshohen për biznese nga ana e autoriteteve qendrore.

Ndryshe, përditësimin e regjistrit qendror të lejeve dhe licencave, Zyra Ligjore e ka bërë në bashkëpunim me International Finance Corporation, dhe financim të zyrës zvicerane për bashkëpunim.