Arbëri

PSG për votimin në Interpol: Tash kriminelët janë më të sigurt

Descriptive Text

Lëvizja e qytetarëve të lirë (Pokret slobodnih građana - PSG) ka vlerësuar sot se rezultati i votimit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol është “fitore e Pirros” e Beogradit, transmeton Koha.net.

PSG, siç përcjell b92, Beogradi me politikën “sa më keq, aq më mirë, ka ndihmuar kriminelët të jenë më të sigurt ndërsa lufta kundër kriminalitetit në rajon të jetë më e dobët”.

“Pushteti i Partisë Përparimtare serbe e ka vënë veten sërish në pozitën e fitimtarit të rremë, i cili punon gjithmonë në dobi të dëmtimit të interesave të qytetarëve. Serbia, në vend se takimin ta shndërrojë në shfaqje për votuesit e vet, është dashur të thotë se në radhë të parë e ka sigurinë e njerëzve”, ka thënë kryetari i PSG-së dhe i bllokut 381 Sasha Jankoviq.

Ai ka përkujtuar se pothuaj para tre vjetësh kishte deklaruar se Serbia duhet ta inkurajojë e jo ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Interpol, sepse, anëtarësimi, ka thënë ai, është i mirë për sigurinë e qytetarëve, sundimin e ligjit dhe luftën kundër kriminalitetit.

“Regjimi i Partisë përparimtare serbe sot është impresionuar sepse në Kosovë edhe më tej nuk do të vlejnë rregullat dhe detyrimet e bashkëpunimit policor ndërkombëtar. Fletë arrestet e shpallura do të jenë të pavlefshme, kriminelët do të shëtisin lirshëm. Serbët e Kosovës, po ta kishin për qëllim jetën normale dhe që shtetin e të drejtës aleat, do të bënin krejtësisht të kundërtën”, ka thënë Jankoviq, përcjell PSG, transmeton Koha.net.

Ai ka theksuar se Serbia “nuk duhet ta pengojë Kosovën në zhvillimin demokratik, ndaj as në anëtarësimin në të gjitha organizata ndërkombëtare që kultivojnë vlera demokratike, përfshirë dhe Kombet e Bashkuara. Por, përkundrazi, duhet ta inkurajojë këtë proces pa njohje formale”.

“Njëkohësisht është e nevojshme të sigurohet niveli më i lartë i të drejtave të njeriut për minoritetet, autonomi personale e territoriale për serbët, institucionalizimin e organeve të tyre lokale e të administrimit personal, eksterritorialitet të kishave e manastireve, mbrojtjen e të gjitha të drejtave pronësore sipas të drejtës së trashëgimisë. E gjithë kjo është e nevojshme për pajtimin historik të serbëve e shqiptarëve pa të cilin nuk ka përmirësim në rajon”, ka thënë Jankoviq.