Arbëri

Taksa prej 10 për qind ndaj Serbisë e rrit për 30 për qind çmimin e bukës në Kosovë

Për 10 centë më shtrenjtë do ta blejnë bukën kosovarët.

Vënia e taksës prej 10 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës ka ndikuar në rritjen e çmimit të bukës.

Ky çmim në disa qytete është rritur për 5 centë, ndërsa disa të tjera për 10 centë, raporton KTV.

Krejt kjo si pasojë e rritjes edhe të çmimit të grurit, i cili hyn nga Serbia kryesisht nga Vojvodina.

Sipas mullisëve deri tash gruri, i cili është blerë nga Serbia ishte 18 centë e tani atë e blejnë për 24 centë.

Faktor tjetër, i cili ka ndikuar që kosovarët ta paguajnë më shtrenjtë bukën është edhe rritja e çmimit të grurit në berza dhe çmimi i naftës.

Ky çmim nuk do të jetë përfundimtar pasi që mullisët paralajmërojnë rritje edhe më shumë pasi në krahasim me rajonin, në Kosovë çmimi i bukës është më i liri.

Për mbrojtësit e konsumatorëve vendimi i Qeverisë për masa mbrojtëse do të sjellë rritje çmimesh edhe të produkteve të tjera.

Në Federatën e Bujqve janë për taksën e vendosur për 10 për qind ndaj këtyre dy shteteve.

Megjithatë, thonë se Qeveria është dashur t’i subvencionojë mullisët në mënyrë që kjo rritje të mos prekte xhepin e konsumatorit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, u zotua se vënia e taksës për 10 për qind nuk do të ketë efekt në ngritjen e çmimeve.