Thaçi nuk i përgjigjet Komisionit Hetimor për shpenzimet e lobimit

19 nëntor 2018 19:12

Hashim Thaçi e kishte këtë të hënë radhën për të raportuar para Komisionit Hetimor që po i heton shpenzimet për lobim.

Shefi i shtetit para këtij komisioni do të duhej të intervistohej për kohën sa ishte ministër i Punëve të Jashtme, raporton KTV.

Por, takimi i këtij Komisioni zgjati vetëm 30 minuta, meqë presidenti nuk u erdhi aty.

Kryetari i këtij Komisioni, Dardan Sejdiu tha se zyra e presidentit nuk ka dhënë arsyetim për mungesën, por ftesa për të do të përsëritet.

Deri tash para këtij komisioni janë intervistuar shumë persona të përfshirë në procesin për lobim, derisa në listë për intervistën është edhe ish prokurori i Hagës Goeffrey Nice i cili e ka akuzuar presidentin Thaçi se i ka mbetur borxh gjysmë milioni euro për ndihmën që i kishte dhënë rreth librit “Shtet i ri, burrështetas modern”.

Sejdiu tha se në fund të nëntorit duhet të përfundojnë punën si komision, e në ditët e para të dhjetorit të dalin me raportin përfundimtar.

Sejdiu nuk i ka komentuar të gjeturat e këtij komisioni, por kohë më parë, anëtarë të tjerë të këtij komisioni nga radhët e opozitës patën deklaruar se ka mjaftueshëm bazë, që Prokuroria të nisë hetime.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme