Arbëri

Anëtarësimi i Kosovës në Interpol, lehtësim për ndjekjen e kriminelëve të luftës

Descriptive Text

Mevlyde Mezini-Saraçi nga Grupi i Shoqërisë Civile për grumbullimin e dëshmive për krime lufte dhe përgatitjen e kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës 1998/99 ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të ishte një lehtësim për familjarët e viktimave të luftës në Kosovë.

Pas dorëzimit të valës së shtatë të kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë, Saraçi ka thënë në Express Intervistën në KTV se sivjet do të dorëzojnë edhe valën e ardhshme.

Për valën e shtatë të kallëzimeve penale, ajo ka thënë se në të janë përmbledhur dëshmi, deklarata, fotografi të kriminelëve, të viktimave, dëshmi të burgosjeve, internimeve e gjitha faktet që janë ruajtur nga viktimat civile.

“Është grusht për kriminelët serbë që po shëtisin lirshëm në Serbi, Kosovë e në Ballkan e Evropë e që thonë se janë të pafajshëm”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se kanë dëshmi edhe për krimet në Meje.

Ka përmendur dëshmitë e familjes Sokoli dhe krimin që kishte ndodhur në shtëpinë e familjes Vejsa si të përfshira në këtë valë kallëzimesh penale.

Ajo ka shtuar se tani kanë bashkëpunim të mirë me institucionet vendore dhe menjëherë po merren masa për çdo kallëzim penal që po bëhet.

“Jemi befasuar sepse menjëherë ka filluar puna. Kur kemi thënë se s’jemi marrë në pyetje në një intervistë në KTV, mund të them se menjëherë ka pas angazhim dhe për çdo ditë kemi një polic apo dy hetues që merren me ne për t’i përfunduar rastet sa më mirë. E kemi obligim të mos lejojmë kriminelë serbë të na udhëheqin e të vijnë në Kosovë e të rrahin gjoks se s’janë fajtorë”, ka shtuar ajo.

Duke përmendur ligjin për dënimin e kriminelëve në mungesë, Saraçi ka thënë se shpreson që të kalojë në lexim të dytë dhe të marrë nënshkrimin e presidentit.

Për pranimin në Interpol ka shtuar se “është lehtësim i madh sepse dëshmitë ekzistojnë dhe gjithçka është e gatshme që kriminelët të arrestohen”.

Saraçi ka kritikuar edhe Gjykatën Speciale për krimet e luftës duke thënë se duhet Serbia që të dënohet si shtet për luftën e jo Kosova.

“Problemi është se tek ne është krijuar gjykatë speciale për t’i dënuar shqiptarët para se të krijohej një gjykatë që të dënojë luftën dhe krimet. Kosova s’ka bërë krime në Serbi, ajo erdhi në dyert tona për të bërë krime. E shoh gabim këtë gjykatë dhe tash e kanë kuptuar të gjithë se është gabim. Është dashur të dënohen krimet serbe e pastaj individët nëse ka pas krime ndaj civilëve. Lufta jonë ishte e pastër. E kemi keqkuptuar sepse Dick Marty për interesa serbe na ka sjellë në këtë situatë kur vetë deputetët janë penduar. Por shoh edhe diçka pozitive sepse do të gjykohet lufta nga shqiptarët, por do të dalim të pastër si loti sepse për krimet që na kanë ngarkuar jemi të pafajshëm. Flas si shtet, sepse për individë ka gjithandej hapësirë”, ka përfunduar ajo.

Për anëtarësimin e Kosovës në Interpol do të votohet këtë të martë.