Haradinaj ia kujton zv.kancelarit austriak se Kosova është i vetmi vend në rajon pa viza

Haradinaj ia kujton zv.kancelarit austriak se Kosova është i vetmi vend në rajon pa viza

19 nëntor 2018 16:38

Në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, kryeministri Ramush Haradinaj, sot në Vjenë ka zhvilluar një takim me zëvendëskancelarin e Austrisë Heinz-Christian Strache, me të cilin, sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ka biseduar për shumë tema me interes të veçantë për të dyja vendet.

Gjithnjë sipas njoftimit, në këtë takim Haradinaj e ka falënderuar zëvendëskancelarin Strache për përkrahjen që Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit, duke shprehur nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në këtë fazë të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

“Austria, historikisht është vend mik i Kosovës dhe ne jemi të përkushtuar që t’i ruajmë dhe avancojmë marrëdhëniet bilaterale, duke e shtuar bashkëpunimin në fusha konkrete, aty ku tregu i Kosovës ka më shumë nevojë si dhe përkushtimin që të krijohen kushte sa më të mira legjislative dhe administrative për investitorët austriakë”, citohet të ketë thënë kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar zëvendëskancelarin Strache për të gjitha zhvillimet në vend, me theks të veçantë për reformat në administrative dhe ekonomike, për vendosshmërinë për të krijuar marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe për procesin e dialogut me Serbinë.

“Kosova ka treguar seriozitet në temat dhe obligimet e saja karshi fqinjëve dhe vendeve të BE-së dhe kjo duhet të jetë reciproke. Kosova është vend i vetëm që nuk e gëzon të drejtën të lëvizë lirshëm, përkundër që ka përmbushur të gjitha obligimet e saja karshi BE-së për këtë çështje. Ne kemi nevojë për ndihmën e Austrisë në liberalizimin e vizave duke na vënë në agjendë për votim gjatë udhëheqjes me presidencën e BE-së” tha kryeministri Haradinaj.

Nga ana e tij, sipas njoftimi të Kryeministrisë, zëvendëskancelari Strache i tha Haradinajt se mbështetja e Austrisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe do të jetë partnere e fuqishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe rajonit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme