Sky News flet për mënyrën se si vajzat shqiptare trafikohen për prostitucion e punë skllavërie Foto ilustrim

Sky News flet për mënyrën se si vajzat shqiptare trafikohen për prostitucion e punë skllavërie

18 nëntor 2018 23:24

Televizioni prestigjioz britanik, Sky News, i ka kushtuar hapësirë trafikimit të qenieve njerëzore nga Shqipëria drejt ishullit britanik, ndërsa shifra konfirmohet nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Angli, të cilat duket se janë rritur me 35 për qind.

Ka qenë gazetari Dan Whitehead dhe kolegët e tij të cilët në kuadër të këtij artikulli kanë vizituar edhe Shqipërinë.

Sipas investigimit të medias angleze, thuhet se shumica e të trafikuarve përdoren për prostitucion në rrugë, një pjesë tjetër përfundon në ruajtjen e plantacioneve të drogës, shitjes së saj e deri tek ushtrimi i punës në të zezë.

Fillimisht gazetarët janë ndalur në Vlorë, në një qendër ku ndodhen 15 femra, që kanë qenë viktima të trafikut dhe janë kthyer së fundmi nga Anglia. Këto femra janë torturuar barbarisht, janë goditur edhe pse ishin shtatzëna. Një nga zërat për median britanike ishte Besjana, e cila tregoi se pasi kishte mbetur shtatzënë, familja, kryesisht vëllai dhe nëna e kishin torturuar me qëllim që të dështonte fëmijën.

“Ata më rrahën që unë të humbisja foshnjën… ishte vërtet keq, sepse unë mund ta humbja fëmijën në çdo moment”, tha ajo për gazetarët e Sky News.

Sipas NCA-së, shumica e të trafikuarave janë nga Shqipëria. Ato trafikohen nga një rrjet i gjerë bandash të cilat veprojnë në të gjithë Europën, ndërsa në gjuhën e tyre ata e konsiderojnë si një shkëmbim “malli”, veprimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

Për këtë fenomen të errët të shoqërive moderne ka folur edhe zv/drejtori i NCA-së, Tom Dowdall, i cili ka shigjetuar bandat shqiptare si të rrezikshme, madje i cilëson ato si banda poli-kriminale.

“Bandat kriminale të organizuara shqiptare janë duke operuar në mënyrë të sofistikuar dhe aktivitetin veç Britanisë së Bashkuar, ata ushtrojnë edhe në vende të tjera të BE. Ata janë ato që ne e quajmë ‘poli-kriminelët”, shtoi ai.

Media britanike sjell edhe histori të tjera, të cilat kanë si kryefjalë mashtrimin dhe detyrimin për të prostituuar në rrugët e Anglisë, kjo e bërë nga bandat shqiptare, të cilat ende nuk janë kapur nga autoritetet angleze dhe ato europiane. Mediat sociale sipas “Sky News” janë përdorur nga këto banda për të shpallur njoftime për vende të lira pune, e më pas gratë dhe vajzat kanë rënë pre e trafikimit seksual.

Ndërkohë aktiviteti i këtyre bandave është shumë i zgjeruar, pasi krahas trafikut të qenieve njerëzore, ata kanë shitur edhe armë në disa vende të ndryshme.

Rreth gjysma e viktimave të trafikuara në Mbretërinë e Bashkuar po detyrohen të punojnë në industrinë e seksit. Gjysma tjetër përballet me shfrytëzimin, duke punuar në të njëjtën kohë edhe pa para, dhe këta njerëz gjenden në vende që vizitohen shumë shpesh.

Ushtria e Shpëtimit thotë se njerëzit gjithashtu mund të trafikohen për të punuar në vende të tilla si qendra estetike. Emilie Martin kryeson njësinë antitrafik të Ushtrisë së Shpëtimit.

Shqiptarët gjithnjë e më të prekur janë duke u shënjestruar nga bandat e trafikimit nëpërmjet rrjeteve sociale. Disa banda kriminale të organizuara postojnë në faqet e agjencive të punës konkurse të rreme, ku kërkojnë kameriere apo parukiere, por këto gjëra nuk ekzistojnë.

Qeveria e Britanisë së Madhe ka ofruar 150 milionë paund për të luftuar trafikimin në vendet të ndryshme, përfshirë këtu edhe 33 milionë paund më shumë për t’u vënë në përdorim nga vendet më me rrezik të lartë ku shumica e viktimave trafikohen./Top Channel

Komentet

Shto koment

Të ngjashme