101 punëdhënësve në sektorin e ndërtimtarisë u ndërpritet puna, s’ka kushte

18 nëntor 2018 20:47

Të gjithë inspektorët e punës nga i gjithë vendi një muaj më parë zbarkuan në kryeqytet.

Qëllimi i tyre është që të inspektojnë secilën vend-punishte se a i plotësojnë kushtet e punës dhe sigurisë për punëtorët e ndërtimtarisë, raporton KTV.

Pas inspektimit, mbi 100 punëdhënësve që janë duke ndërtuar ndërtesa banuese iu janë vënë shiritat, duke ua ndërprerë punën me arsyen se nuk kanë pasur kushte të mira të punës.

Nga kjo shifër 16 prej tyre më pastaj ua kanë siguruar skelet e helmetat dhe masat tjera mbrojtëse minimale punëtorëve për çka edhe i është lejuar rifillimi i punës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica thotë se nuk do të lëshojnë pe, duke shtuar se nga muaji i ardhshëm do t’i rrisin kriteret për kushtet e punës për kompanitë ndërtuese.

Atyre, sipas tij, nuk do t’iu kërkohet vetëm përmbushja e obligimeve minimale, por të gjitha kushteve të tjera që janë të parapara me rregulloret e punës.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkon masa rigoroze ndaj punëdhënësve. BSPK-ja thotë se nuk duhet edhe më tutje të lejojmë vdekje në vendin e punës.

Vetëm muajin e kaluar brenda javës dy punëtorë të ndërtimit kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, duke çuar në 22 numrin e rasteve që kanë përfunduar me fatalitet për një vit.

Derisa një vit më parë numri i personave të vdekur aksidentalisht në vendin e tyre të punës ishte 17.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme