Arbëri

Gjykata e ka “harruar” lëndën për sulmin ndaj Kuvendit, të akuzuarit e quajnë rast të montuar

Shkelje e afateve ligjore po cilësohet moscaktimi i seancës për katër të akuzuarit për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Lënien pezull të rastit, i akuzuari, i cili njëherësh është edhe deputet i PSD-së, Frashër Krasniqi, po e sheh si shenjë të qartë se kjo lëndë gjyqësore ka qenë politike, raporton KTV.

Avokati i deputetit Krasniqi, Tomë Gashi, ka thënë se lënda e aktivistëve më nuk është prioritet i dikujt, pasi, siç shton ai, në këtë gjykim ka pasur tendenca të njollosjes nga Lëvizja Vetëvendosje.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar që kjo lëndë të trajtohet me prioritet, pasi thotë se Gjykata Themelore e Prishtinës ka bërë edhe shkelje të afateve ligjore.

Nga Gjykata Themelore e Prishtinës kanë thënë se nuk është caktuar ende seanca për shkak të ngarkesës së punës së gjyqtarit të kësaj çështje, mirëpo do bëhet së shpejti.

Se Gjykata Themelore e Prishtinës qëllimisht po e zvarrit procesin hetimor, e ka thënë edhe kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala.

Ndryshe, më 26 shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin ndaj 4 aktivistëve të akuzuar për sulmin me granatë në gusht të vitit 2016. në ndërtesën e kuvendit të Kosovës.

Për këtë sulm i dyshuar ishte edhe Astrit Dehari, i cili më 5 nëntor të vitit 2016 ka vdekur në rrethana të dyshimta në burgun e Prizrenit.