Arbëri

Kusari-Lila tregon se çfarë fshihet pas “korrigjimit të kufirit”

Descriptive Text

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se shteti i Kosovës është në një fazë tepër kritike.

Në Interaktiv të KTV-së ajo ka thënë se seanca e sotme e jashtëzakonshme nuk është dashur të ndodhte pa u kryer ajo e opozitës. Sipas saj Kuvendi po e humb kredibilitetin me Kuvendin.

“Dështimet në politikën e jashtme edhe më parë e kanë përcjellë këtë qeveri. Skena politike duhet të caktojë prioritetin e ajo është që të bëjmë një platforme dhe të kemi një pajtueshmëri. Duhet përfundimisht të shkundim veten të gjithë se çfarë pritet nga ne dhe pastaj të vazhdojmë me temat e tjera”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo thotë se janë dy tema kryesore për të cilat duhet të ketë fokus.

“E para është Liberalizimi dhe tjetra është dialogu me Serbinë. Nëse kemi shkëmbim territoreve atëherë duhet të brengosezmi edhe për sigurinë që të gjithë brenda territorit të Kosovës, përfshirë këtu edhe shqiptarët edhe serbët”, thotë ajo.

Kusari-Lila shton se nuk e di pse kalojnë kaq shumë ditë pa iu rikthyer temës së dialogut.

“Duket sikur dikush po i shërben presidentit Thaçi, duke thënë se askush nuk mund ta ndalë. Nëse jemi prap me të njëjtat qëndrime ne duhet të kthehemi përsëri në Kuvend për një rezolutë që do ta ndalonte këdo për të negociuar për territorin. Ka pas mundësi kombinimi me propozimin e PDK-së për të bërë një rezolutë konsensuale më të fortë”, thotë ajo.

Ajo shton se, “në kuadër dialogut ne duhet të mos t’i lejojmë ndokujt të diskutojë mbi territorin. Kuvendi e sheh dialogun mënyrën e vetme për marrëveshjen finale me Serbinë. Këto askush nuk i kundërshton. Secila marrëveshje duhet të vjen në Kuvend”.

Sipas Kusari-Lilës s’do të kishte ndryshime të mëdha edhe nëse shkohet në zgjedhje.

“Nuk do të zhduken akterët politikë ose s’do të ketë ndryshim spektakolar në Kuvend edhe nëse ka zgjedhje”, thotë ajo.


Mosmiratimi i rezolutës po ia lë Thaçit duart e lira

Mosvotimi i rezolutës që do t’i ndalonte presidentit të dialogonte për territorit dhe vonesa e këtij procesi sipas saj shkojnë në të mirë të presidentit.

“Nuk e di pse është aq e papranueshme, cila është arsyeja pse nuk po votohet rezoluta. Mendoj se këto vonesa përforcojnë pozitën e presidentit. Thaçi po e kërcënon Qeverinë se duhet të argumentojë se i ka votat”, thotë ajo.

Sipas saj është e papranueshme ajo çka flitet për ndryshim territoresh.

“Ajo çka fshihet prapa shkëmbimit është tepër e papranueshme. Heqja dorë nga tre komunat në veri. Marrja e vetëm disa fshatrave në Luginë, pa marrjen e qyteteve të Preshevës e Bujanocit. Nën protektorat të jetë Ujmani e minierat e Trepçës. Këto i kanë thënë ndërkombëtarët dhe të cilët e shohin si zgjidhje nëse ka pajtueshmëri në Kosovë. Këtë smund ta pranojmë dhe si kundërshtim zyrtar duhet të bëhet rezoluta”, thotë ajo.

Ajo thotë se kjo Qeveri ka treguar se është më e dobëta që nga paslufta me skandale të njëpasnjëshme.

“Është e rëndësishme tani të kemi një rezolutë dhe një platformë për t’i dhënë udhë këtij procesi. Thaqi është shumë vigjilent mbi shkeljet që mund të ndodhin në letër. Me rezolutë është një argument i mjaftueshëm për të ndalur atë. Është e vërtetë se mos miratimi i rezolutës i kanë lënë duart e lira Thaçit”, thotë Kusari-Lila.

Ajo shton më tutje se, “në Paris Thaçi na befasoi duke bërë foto me Putinin. Në diplomaci nuk ka diçka të keqe po në kontekstin aktual kohor është skandaloze për mënyrën se si ai e trajton këtë çështje. Ai donë me na tregu forcën e tij se sa lartë mund të na dëgojë. Dihet se çfarë marrëveshje Rusia na jep nëse arrihet marrëveshja finale. Mendoj se presidenti do të duhej të paktën të kursente njerëzit në Kosovë duke mos e publikuar atë foto. Thaçi sillet si monark i Kosovës, dhe kjo vërehet me veprimet e tij. Këto janë krizat e shtetit kur secili nuk e kryen punën e vet si duhet. Këtu te ne duket se kemi një vakuum substancial”.

Sipas Kusari Lilës, heqja dorë e kryeministrit Ramush Haradinaj nga bisedimet është pjesë e marrëveshjes paraprake mes tyre.

“Ndonëse presidentit nuk i lejohet, jam e bindur se z. Thaçi ka qenë thellë i përfshirë në caktimin e pozicioneve politike dhe në negocimin e detajeve të marrëveshjes politike të koalicionit qeverisës”, ka thënë ajo.