Shteti ua ka njohur statusin e viktimave të dhunës seksuale vetëm 160 nga 827 aplikime, 27 janë refuzuar

16 nëntor 2018 19:40

Që nga pesë shkurti, 827 persona kanë aplikuar për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

160 prej tyre u është njohur statusi dhe tashmë gëzojnë pensionin prej 230 euro në muaj, raporton KTV.

Derisa, 27 të tjerëve u është refuzuar njohja e statusit, pasi që komisioni ka verifikuar se të njëjtit kanë deklaruar rrejshëm se janë viktima me qëllim të përfitimit të beneficioneve. Të njëjtit mund të ndiqen penalisht.

Ndërsa, të tjerat aplikacione janë në fazën e shqyrtimit.

Në Qendrën e Rehabilitimit të këtyre viktimave thonë se procesi po stërzgjatet mjaft shumë pasi që të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk po arrijnë ta kompletojnë dokumentacionin e nevojshëm.

Njohja e së drejtës për pension për këtë kategori ka qenë temë diskutimi edhe në mbledhjen e Grupit Ndërministror për të Drejtat e Njeriut.

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se me njohjen e statusit të këtyre viktimave nuk janë kryer të gjitha obligimet.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, porositi institucionet dhe ministritë t’i zbatojnë rekomandimet e këtij institucioni.

Deri më tani, në Kosovë nuk ka persona të cilët janë dënuar për dhunimet seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, derisa konsiderohet se qindra gra e vajza u dhunuan gjatë kësaj periudhe.

Rasti i fundit është ai i Vasfije Krasniqi- Goodmanit, në të cilin, me gjithë dëshmitë dhe provat e ofruara, Gjykata Supreme mori vendim që dy serbët e akuzuar për dhunim t’i lirojë si të pafajshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme