Mos respektimi i simboleve shtetërore nga komunat veriore kanë penalizuar bujqit e kësaj ane

16 nëntor 2018 19:19

Enver Aliu nga fshati Ceraj i komunës së Leposaviqit, deri këtë vit, nuk ka mundur të jetë përfitues i granteve nga Ministria e Bujqësisë.

Për të aplikuar për grant atij i duhej vërtetimi i tatimit në pronë si dhe pëlqimi i projektit, të cilat Komuna e Leposaviqit i lëshonte me vulë dhe simbole të Serbisë, raporton KTV.

Ndërsa, me t’i dorëzuar në ministri, i refuzoheshin.

Por, përmes programit të veçantë prej 2 milionë eurosh, të cilin Ministria e Bujqësisë e ka ndarë vetëm për banorët e katër komunave veriore, Enverit iu pranuan dokumentet edhe pa vulë.

Njëjtë sikur Enveri, grant arriti të përfitojë edhe bashkëfshatari i tij, Ahmet Aliu.

Por, ai thotë se kjo iu mundësua pasi qëllimi ishte përfitimi i komunitetit serb.

Me gjithë vlerën e vogël dhe mungesën e përkrahjes më të madhe nga Qeveria, banorët tregojnë se grantet e dhëna u bënë shpresë për ta që mos ta lëshojnë vendin.

Për të përfituar nga ky fond kishin aplikuar gjithsej 123 banorë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Prej tyre kanë arritur të përfitojnë 52, por vetëm 8 nga ta janë kosovarë.

E, orientimi i këtij buxheti në këtë pjesë të vendit, ushtruesi i detyrës së krye-shefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj thotë se u bë me qëllim të përkrahjes së këtij rajoni, pasi kanë përfituar më së paku grante.

Por, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se banorët shqiptar të katër komunave veriore janë diskriminuar për vite me radhë.

Derisa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal sipas Jasharit është dashur të marrë masa ndaj komunave, për përdorim të simboleve jo shtetërore.

Kohavision ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga ministrit i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijevic, por askush nga kabineti i tij nuk ka dhënë përgjigje.

Buxheti prej 2 milion eurosh u nda nga ministria në maj të këtij viti.

Fokusi i investimeve ishte në sektorin e qumështit, mishit, pemëve e perimeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme