Arbëri

Hoxhaj: Serbia nuk duhet të ketë frikë nga Kosova në INTERPOL por nga e kaluara e vet

Descriptive Text

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Serbia nuk duhet të ketë frikë nga anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL por nga e kaluara e vet.

“Serbia ka një histori të abuzimit me njoftimet e INTERPOL-it si formë e agresionit ndaj fqinjëve të vet”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter, transmeton Koha.net.

E Kosova, thotë Hoxhaj, ka histori të dëshmuar të bashkëpunimit me agjenci të zbatimit të ligjit.

“Serbia nuk duhet të ketë frikë nga Kosova në INTERPOL, por nga e kaluara e vet e pazgjidhur kriminale”, përfundon Hoxhaj.

Kujtojmë se në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila sivjet do të mbahet në Dubai, prej 18 deri më 21 nëntor, Kosova pret përkrahje të gjerë për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, tashmë ekzistojnë sinjale mjaft të qarta se Kosova do ta ketë një përkrahje.

Kosova fillimisht ka aplikuar për t’u anëtarësuar në INTERPOL më 2010 dhe ka përsëritur kërkesën pesë vjet më vonë. Më 2017, Kosova pati hequr dorë nga kërkesa për pranim në këtë organizatë, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.