Nëntori, “afat i transfereve në partitë politike” Foto: Ilustrim/Koha

Nëntori, “afat i transfereve në partitë politike”

15 November 2018 20:22

Muaji nëntor, mund të konsiderohet si muaji i aderimeve nëpër partitë politike në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në Facebook, thotë se sot filluan muajin e anëtarësimeve të reja në Lëvizje, që siç thonë ata, do të vazhdojë deri në 15 dhjetor, si fushatë për zgjerimin intensiv, raporton Koha.net.

“Mbi 40 anëtarë të rinj u shtuan në radhët e Lëvizjes në Prishtinë. Zyra e Qendrës sonë në Prishtinë nuk i nxë kaq shumë veta, andaj bashkë me kryetarin e Qendrës, Arben Vitia, i mirëpritëm anëtarët e rinj në selinë qendrore të Vetëvendosjes. Këto anëtarësime janë rezultat i punës së mirë të strukturave tona, sepse një aktivist i mirë është ai që afron shumë anëtarë të rinj”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në anën tjetër, edhe AAK-ja vazhdon të dërgojë njoftime për media se po ka aderime në partinë e tyre. Së fundmi, ata thonë se rrugëtimit politik të tyre iu bashkua Ramiz Rrustaj, ish-nënkryetar i Komunës së Klinës nga radhët e PDK-së dhe sekretari i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh asambleist në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Faton Feka.

“Aderimet e shumta janë dëshmi se Aleanca është adresa e vetme për t’i siguruar zhvillim Kosovës. Aderimet po tregojnë që Aleanca është dera e vizionit për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Edhe para pak ditësh, AAK-ja njoftoi se Fiknete Bejta, deri së voni asambleiste e LDK-së në Komunën e Prishtinës, rrugëtimin politik do ta vazhdojë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Në ndërkohë, edhe nga PDK-ja, kohë pas kohe dërgojnë njoftime se në partinë e tyre po aderojnë profesorë, sipërmarrës e të rinj të shumtë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme