Arbëri

Komisioni synon intervistimin e Thaçit e Haradinajt për dëbimin e 6 turqve, sot u intervistua Gashi

Për më shumë se 5 orë, ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi, është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, tha se ka tendenca që faji për rastin të hidhet nga një institucion te tjetri.

Ai tha se ishte një intervistim i gjatë, por gjetjet nuk mund të bëhen publike.

Sveçla, pas mbledhjes së komisionit e cila u mbajt e mbyllur për publikun, shtoi se në planin e veprimit të komisionit është që të ftohen për intervistim edhe Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi.

Gjatë ditës së sotme, në plan për intervistim kanë qenë të paraparë edhe Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, dhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, por këta dy të fundit nuk iu kanë përgjigjur ftesës për shkak të agjendave të tyre.

6 shtetasit turq ishin dëbuar nga Kosova më 29 mars të këtij viti, por të mërkurën Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shpallur të parrezikshëm për vendin dy nga gjashtë prej tyre.