Arbëri

Policia: Gruevski doli nga Shqipëria me veturën e ambasadës hungareze

Descriptive Text

Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka dalë nga dogana e Hanit të Hotit për t’iu drejtuar më pas Hungarisë ku ka kërkuar azil politik. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare nga Policia e Shqipërisë.

“Shtetasi Nikola Gruevski, më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë”, bënë me dije burime zyrtare nga Policia e Shqipërisë.

Aty thuhet se në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse Gruevski nga është ndaluar nga autoritet shqiptare.

“Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, sqarohet më tej në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq, Zëri i Amerikës ka raportuar se Gruevski rezulton të jetë larguar nga Maqedonia përmes Shqipërisë.

Ai është paraqitur në kufi vetëm me kartën e identitetit. Policia bëri të ditur se ai ka udhëtuar me një automjet të ambasadës hungareze në Tiranë, brenda së cilës, siç mësohet, përveç shoferit ka qenë dhe një punonjës i ambasadës, i pajisur me pasaportë diplomatike, të cilët janë rikthyer në Shqipëri brenda më pak së një ore.

Mediat në Shqipëri raportojnë se autoritetet policore po kryejnë verifikime për të zbuluar se kur dhe nga cila pikë e kufirit, ish kryeministri maqedonas ka hyrë në Shqipëri. Autoritetet maqedonase lëshuan fletë-arrestin për të më 12 Nëntor pasi ai nuk u paraqit vullnetarisht për vuajtjen e dënimit me dy vjet burg për shkak të një vepre penale. Ndërsa urdhri i arrestit ndërkombëtar, i lëshuar nga Interpol Shkupi, i ka mbërritur Interpol Tiranës, sipas njoftimit të policisë, më 13 nëntor në mbrëmje.