Arbëri

Thaçi e Haradinaj do të ftohen për intervistim rreth gulenistëve të deportuar, thotë Sveçla

Foto: Koha

Pas më shumë se pesë orë intervistim të ish-drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Xhelal Sfeçla tha se ka tendenca që faji për rastin t’u hedhet nga një institucioni te tjetri.

Ai tha se ishte një intervistim i gjatë përmes të cilit u theksua fakti se të gjeturat nuk mund të bëhen publike.

"Ka dëshmi të mjaftueshme për shkelje ligjore dhe tejkalime të kompetencave por fajësinë primare ne po synojmë t’i identifikojmë përgjegjësit kryesor", u shpreh ai, raporton kp. 

Sfeçla shtoi se në planin e veprimit të komisionit është që të ftohen edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për intervistim.

Lidhur me afatet kohore se sa do zgjas ky proces i intervistimit, deputeti Sfeçla tha se ky komision hetimor ka mandat edhe një muaj dhe se brenda kësaj periudhe duhet të dalin me raport në seancë plenare.

Për intervistim gjatë ditës së sotme kanë qenë të paraparë edhe inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Shkelzen Sopjani dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, por këta dy të fundit nuk iu kanë përgjigjur ftesës për shkak të agjendave të tyre.