Arbëri

Nëse zgjerohet mandati i FSK-së, KFOR-i duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit

Descriptive Text

Beograd, 15 nëntor – Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci ka deklaruar se nëse zgjerohet mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës, NATO do të jetë e detyruar të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të vet në Kosovë. Ai i tha ‘European Western Balkans’, sipas raportimit të medieve të Beogradit, se NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në suazat e mandatit aktual dhe se ajo është organizatë profesionale dhe burim i stabilitetit në rajon, transmeton Koha.net.

“Nëse zgjerohet mandati i saj, Këshilli Euroatlantik do të jetë i detyruar të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë. Është thelbësore që të gjitha komunitetet në Kosovë dhe aleatët e NATO-s të konsultohen në rast të çfarëdo iniciative që ka të bëjë me menadtin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, citohet të ketë thënë Cuoci.

I pyetur nëse pritet zvogëlimi i numrit të ushtarëve në përbërjen e KFOR-it, Cuoci u përgjigj se NATO nuk e ka ndërmend të ndryshojë ose ytë zvogëlojë misionin e KFOR-it në Kosovë, ashtu siç nuk e ka plane për prani të përhershme në Kosovë.

“Puna e KFOR-it vazhdimisht është varur nga rrethanat, që do të thotë se çfarëdo ndryshimi i gjendjes numerike dhe misionit është përshtatur me kushtet në terren dhe për këtë vendos Këshilli Veriatlantik”, ka thënë ai.

I pyetur për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, pas tensioneve për shkak të, siç raportojnë mediat e Beogradit, shfaqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit në Ujman, dhe vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit në atë territor, Cuoci tha se situata është e qetë dhe nën kontroll dhe se situata e sigurisë nuk ka ndryshuar pas atyre dy vizitave, e as që ka pasur incidente, transmeton Koha.net.

Se a duhet KFOR-i t’u japë leje forcave të sigurisë apo policisë për të hyrë në veri të Kosovës, komandanti i KFOR-it sqaroi se Policia e Kosovës funksionon në tërë territorin, përfshirë edhe veriun e Kosovës, dhe nuk ka nevojë për kurrfarë autorizimesh nga KFOR-i, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të marrin leje nga KFOR-i.

Ai ka thënë po ashtu se KFOR-i mban raporte me Ushtrinë e Serbisë dhe se bashkëpunimi funksionon shkëlqyeshëm.